COP30 u mbyll në Belém të Brazilit me përfundime zhgënjyese, Kolumbia kundërshtoi publikisht heqjen nga teksti final të objektivit për eliminimin gradual të lëndëve djegëse fosile. Ishte një fund i papritur për një konferencë që pritej të ishte historike si, COP-i i zbatimit, COP-i i dekadës së dytë të Marrëveshjes së Parisit, COP-i pas Opinionit Këshillimor të GJND-së për detyrimet e shteteve në luftën ndaj krizës klimatike. Pritshmëritë ishin të mëdha, por rezultatet mbetën dukshëm nën nivelin e urgjencës globale.
Gjatë dy javëve në Amazonë, 82 vende, mes tyre edhe Shqipëria si përfaqësuese e vetme nga Ballkani Perëndimor, kërkuan që bota të niste formalisht heqjen dorë nga qymyri, nafta dhe gazi. Por teksti final nuk përfshiu asnjë referencë për heqjen graduale të lëndëve fosile.
Javier Andaluz Prieto, Koordinator për Klimën dhe Energjinë në Ecologistas en Acción (Spanjë), vuri në dukje: “COP30 ka qenë një nga samitet më të paqarta në histori. Presidenca braziliane ka qenë e paaftë të çojë përpara një vendim përfundimtar dhe të drejtë që do të lejonte përparim në drejtësinë klimatike. Përveç BAM-it (Mekanizmit të Veprimit Belém), nuk është arritur asnjë progres. Edhe një herë, qeveritë në mbarë botën po prioritizojnë interesat e tyre, duke rrezikuar jetët e të gjithëve, veçanërisht shtresat e cënueshme”.
Presidenca e COP-it kërkoi falje dhe premtoi që çështja të rikthehet në gjashtë muajt e ardhshëm, por dëmi politik tashmë është bërë. Pa një udhërrëfyes global, presioni për tranzicion bie mbi vendet me ekonomi të dobët dhe rajonet si Ballkani Perëndimor mbeten të ekspozuara në kufirin mes aspiratave të gjelbra dhe varësisë energjetike nga bota e vjetër.
Megjithatë, një zhvillim i rëndësishëm shpëtoi këto negociata nga dështimi i plotë: miratimi i Mekanizmit të Veprimit Belém (BAM) për Tranzicionin e Drejtë. Ky mekanizëm i kërkuar prej vitesh nga shoqëria civile krijon për herë të parë një strukturë institucionale në kuadër të UNFCCC-së që vendos njerëzit, punëtorët dhe komunitetet në qendër të tranzicionit energjetik. Bam-i synon të garantojë që vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme të mos mbeten prapa, por të mbështeten me politika sociale, dialog komunitar dhe plane të drejtësisë klimatike.
Erica Martinelli, Koordinatore e COP30, Generation Climate Europe, thekson: “COP30 u paraqit si COP-i i zbatimit, por rezultati i tij bie ndesh me shkencën e 1.5°C dhe detyrimet ligjore të shteteve sipas Opinionit Këshillimor të GJND. U bë përparim në drejtësi me thirrjen për një mekanizëm tranzicioni të drejtë të mbështetur te të drejtat e njeriut, por dështoi të sjellë një rrugëkalim me afat kohor për largimin nga lëndët djegëse fosile dhe rritjen e financave publike në formë grantësh”.
Për Ballkanin Perëndimor, kjo është një mundësi reale. Rajoni, ku ende dominojnë qymyri, rafineritë me efikasitet të ulët dhe infrastruktura e vjetëruar energjetike, ka nevojë për mekanizma mbështetës për të përshpejtuar largimin nga lëndët fosile. Ekonomitë e vogla dhe të brishta të rajonit nuk mund të përballojnë tranzicionin vetëm me fonde kombëtare, ndërsa BAM mund të bëhet instrumenti që lidh planifikimin e NDC-ve me reforma të prekshme sociale dhe mbrojtje të punëtorëve që do të preken nga mbyllja e minierave dhe termocentraleve.
Por lajmet e mira ndalen këtu. Rezultatet mbi financimin për përshtatjen kritike për vendet e prekura rëndë nga përmbytjet, thatësira dhe valët e të nxehtit, siç ndodh gjithnjë e më shpesh në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut apo Bosnje ishin zhgënjyese.
Rachel Simon, Koordinatore e Politikave të Financave Ndërkombëtare në CAN Europe, vuri në dukje: “Së bashku me vendet e zhvilluara, BE-ja e mbajti peng rezultatin e financimit deri në momentin e fundit, gjë që ka dëmtuar rëndë besueshmërinë dhe marrëdhëniet e saj me vendet më të prekura nga klima. Objektivi i ri për të paktën trefishimin e financimit për adaptim mund të tingëllojë i rëndësishëm, por është i mbushur me dobësi”.
Salomé Lehtman, Këshilltare për Avokatinë, Mercy Corps dhe Zurich Climate Resilience Alliance, shtoi: “Dhjetë vjet pas Parisit, COP30 duhej të sillte një paketë drejtësie për komunitetet që vuajnë krizën klimatike. Në vend të kësaj, morëm një ‘angazhim’ bosh për financimin e adaptimit pa detyrime për vendet e zhvilluara, pa një bazë fillestare dhe me dërgimin e financimit deri në 2035. Bashkimi Evropian dhe vendet e tjera të pasura refuzuan të vendosnin fonde, pavarësisht detyrimeve të qarta sipas Marrëveshjes së Parisit. Kjo është një dështim i drejtësisë klimatike”.
Sinéad Loughran nga Trócaire theksoi: “Rezultati i COP30 nuk arrin as të njohë neglizhencën e thellë dhe shkatërruese të vendeve të pasura, ndotësit historikisht më të mëdhenj, për të përmbushur detyrimet e tyre për financimin e humbjeve dhe dëmeve”.
Një tjetër pikë kritike e COP30 ishte mungesa e transparencës. Në ditët e fundit të samitit, Presidenca braziliane nuk publikoi raporte të qarta negociimi, duke e bërë të pamundur për shoqërinë civile dhe median të ndjekin në kohë reale prapakthimet në tekst. Vendet e Ballkanit Perëndimor, që shpesh varen nga raportimet ndërkombëtare për të përcaktuar pozicionet e tyre, mbetën të pa informuara mbi kompromiset e minutës së fundit. Kjo thekson edhe një herë se reforma e procesit të UNFCCC-së për më shumë transparencë dhe më pak ndikim të lobistëve të industrisë fosile është e domosdoshme.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian partner kyç për tranzicionin e gjelbër të Ballkanit Perëndimor u përball me kritika të forta. Rachel Simon theksoi gjithashtu: “Ndonëse veprimi global për heqjen e subvencioneve për lëndët djegëse fosile do të kishte një ndikim të madh në tranzicionin energjetik, ai u la në mënyrë tronditëse jashtë COP30, duke përfaqësuar një hap pas nga vitet e mëparshme. BE-ja mund të kishte sjellë më shumë vende në bord duke u fokusuar te barazia dhe tranzicionet e drejta, si dhe duke rregulluar shtëpinë e saj pasi ka premtuar disa herë heqjen e subvencioneve deri në vitin 2025”.
Edhe pse COP30 nuk solli vendime të mëdha për ambicien e shkarkimeve, ai konfirmoi edhe një herë forcën e lëvizjeve shoqërore. Në Belém, qindra protesta, që përfshinë të rinj, sindikata dhe popuj autoktonë vendosën në qendër kërkesën për një tranzicion të drejtë. Në Ballkanin Perëndimor, ky moment duhet të shërbejë si një thirrje për të përfshirë komunitetet lokale, fermerët, punëtorët dhe të rinjtë në diskutimin për të ardhmen energjetike të rajonit.
Në fund, COP30 nuk ishte COP-i i së vërtetës që shumë kishin shpresuar. Por ai dha një mësim të rëndësishëm: tranzicioni energjetik global nuk do të vijë nga kompromiset e mjegullta diplomatike, por nga vendimmarrja e qartë, drejtësia sociale dhe presioni qytetar. Për Ballkanin Perëndimor, BAM ofron një instrument të ri për të ecur përpara, por pa reduktimin e varësisë nga qymyri dhe pa financim të qëndrueshëm, rruga drejt Evropës së gjelbër rrezikon të mbetet vetëm në letër./Klima.al



