Është hapur për konsultim publik Strategjia për Përshtatje ndaj Ndryshimeve Klimatike të Kosovës 2026–2036 si dhe Planet e Veprimit për Përshtatjen ndaj Ndryshimeve Klimatike 2026–2028.
Kjo strategji përfaqëson një hap të rëndësishëm në krijimin e një kornize kombëtare të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse për t’u përballur me ndikimet e rritura të ndryshimeve klimatike. Dokumenti synon të ofrojë politika dhe masa të bazuara në prova shkencore, në mënyrë që institucionet dhe komunitetet të jenë më të përgatitura për sfidat klimatike në dekadën e ardhshme.
“Hartimi i Strategjisë për Përshtatje ndaj Ndryshimeve Klimatike të Kosovës (Strategjia) është përgjigje ndaj nevojës urgjente për të krijuar një kornizë strategjike kombëtare të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe e të mbështetur në fakte, për t’u përballur me ndikimet e ndryshimeve klimatike. Startegjia pasqyron përkushtimin tonë ndaj barazisë, qëndrueshmërisë dhe përshtatjes, duke i dhënë përparësi veprimeve që adresojnë dobësitë strukturore dhe nxisin përshtatje transformuese si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror”, thuhet në publikim.
Strategjia vendos në qendër parimet e barazisë, qëndrueshmërisë dhe përshtatjes efektive, duke i dhënë prioritet veprimeve që adresojnë dobësitë strukturore në vend dhe nxisin përshtatje transformuese, si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror.
Procesi i konsultimit publik u hap për të siguruar transparencë dhe për të përfshirë qytetarët, organizatat dhe ekspertët në përmirësimin e dokumenteve përfundimtare, të cilat pritet të udhëheqin politikat klimatike të Kosovës për vitet në vijim.



