Kuvendi i Kosovës ka miratuar vendimin e Qeverisë për shpalljen e masave emergjente në furnizimin me energji elektrike, të cilat do të jenë në fuqi për 60 ditë. Vendimi parasheh aktivizimin e prodhimit nga hidrocentrali i Ujmanit për mbulimin e kërkesës së konsumatorëve në shërbimin universal, krijimin e një komiteti teknik emergjent dhe masa për kursimin e energjisë në institucionet publike.
Vendimi u miratua pas mesnatës, në seancën e Kuvendit që vazhdoi deri në orët e hershme të së premtes, me 61 vota për, pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim. Qeveria i kishte miratuar masat më 16 nëntor, duke vendosur që ato të zbatoheshin menjëherë dhe t’i dërgoheshin Kuvendit për miratim brenda tri ditësh, përcjell Energy Monitor.
Sipas vendimit, ndërmarrja hidro-ekonomike Ibër-Lepenci obligohet të prodhojë energji elektrike nga hidrocentrali i Ujmanit për konsumatorët që kanë të drejtë të furnizimit me shërbim universal.
Prodhimi do të realizohet sipas udhëzimeve të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), i cili obligohet ta udhëzojë Ibër-Lepencin të prodhojë sa më shumë që lejojnë kushtet teknike gjatë orëve të pikut të konsumit.
KOSTT mund ta kërkojë prodhimin edhe në periudha të tjera kur energjia nga Ujmani ndikon më së shumti në uljen e kostove të sistemit ose kur nevojitet për sigurinë e furnizimit.
Për energjinë e prodhuar, Furnizuesi për Shërbim Universal do ta kompensojë Ibër-Lepencin në përputhje me çmimin referent të përcaktuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).
Komitet emergjent dhe raportim çdo dy javë
Masat parashohin edhe themelimin e Komitetit Teknik Emergjent, i cili do të krijohet dhe udhëhiqet nga Ministria e Ekonomisë, me përfaqësues të institucioneve dhe ndërmarrjeve relevante.
Komiteti do të ketë për detyrë të rekomandojë masa shtesë për menaxhimin e situatës së furnizimit me energji elektrike, përfshirë edhe kushte të veçanta komerciale.
Ai do të monitorojë gjendjen e përgjithshme të sigurisë së furnizimit dhe do t’i raportojë Ministrisë së Ekonomisë çdo dy javë. Monitorimi do të përfshijë disponueshmërinë e kapaciteteve gjeneruese, furnizimin, kërkesën dhe gjendjen e rrjetit elektrik.
Vendimi obligon gjithashtu të gjitha institucionet publike të ndërmarrin masa për kursimin e energjisë elektrike, ndërsa Qeveria mund të ndërmarrë masa të tjera të veçanta në varësi të nevojave që mund të paraqiten.
Vonesat në Kosova B dhe kufizimet e importeve
Në arsyetimin e vendimit, Qeveria përmend disa faktorë që kanë rënduar sigurinë e furnizimit me energji elektrike në Kosovë.
Njëri prej tyre është mosoperimi i njësisë B1 të Termocentralit Kosova B, si pasojë e punimeve për instalimin e elektrofiltrave të rinj dhe sistemit për reduktimin e oksideve të azotit (NOx), në kuadër të projektit të financuar dhe kontraktuar nga Bashkimi Evropian.
Sipas Qeverisë, bilanci energjetik kishte paraparë rikthimin e njësisë në operim më 25 nëntor 2026, por vonesat në realizimin e projektit dhe paqartësia për afatin e përfundimit të punimeve kanë rritur rrezikun për sigurinë e furnizimit gjatë sezonit dimëror.
Një tjetër faktor është rritja e çmimeve të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare. Qeveria e ndërlidh këtë me paqëndrueshmërinë e tregjeve globale të energjisë, pas konfliktit në Iran dhe ndërprerjeve të qarkullimit përmes Ngushticës së Hormuzit, të cilat kanë ndikuar në tregjet e naftës dhe gazit natyror.
Në vendim përmenden edhe kufizimet në kapacitetet ndërkufitare të transmetimit, për shkak të bllokimit të funksionalizimit komercial të tyre nga Serbia. Sipas Qeverisë, kjo situatë ka kufizuar mundësitë e Kosovës për import të energjisë elektrike dhe ka ndikuar në rritjen e mëtejshme të kostove të furnizimit.
Masat emergjente synojnë shfrytëzimin më efikas të kapaciteteve ekzistuese vendore, veçanërisht gjatë periudhave të konsumit të lartë, si dhe uljen e rreziqeve për sigurinë e furnizimit me energji elektrike gjatë dimrit.



