Home / Lajme / Mjedisi / INDEP: Taksa e karbonit dhe themelimi i EkoFondit janë domosdoshmëri për tranzicionin e gjelbër të Kosovës

INDEP: Taksa e karbonit dhe themelimi i EkoFondit janë domosdoshmëri për tranzicionin e gjelbër të Kosovës

Instituti INDEP ka publikuar një raport të ri ku thekson se Kosova duhet urgjentisht të krijojë një mekanizëm të çmimit të karbonit dhe të themelojë një fond të dedikuar për zhvillim të qëndrueshëm – EkoFondin. Sipas raportit, vendi është duke mbetur pas në tranzicionin e gjelbër dhe rrezikon të përballet me kosto të larta ekonomike nëse nuk ndërmerr hapa të menjëhershëm.

Raporti thekson se, si pjesë e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, Kosova ka detyrimin të përafrojë politikat e saj me ato të BE-së, përfshirë edhe mekanizmat e çmimit të karbonit që janë pjesë e Pakos “Fit for 55”. Ndërkohë, nga viti 2026, mekanizmi evropian CBAM do të fillojë të aplikojë tarifa për produktet e vendeve që nuk kanë politika të brendshme të çmimit të karbonit – çka do të prekë drejtpërdrejt industrinë kosovare të eksporteve. “Pa një sistem vendas të çmimit të karbonit, eksportuesit kosovarë do të paguajnë më shumë për çdo ton CO₂ të përfshirë në produktet e tyre. Kjo i vendos ata në disavantazh krahasuar me konkurrencën në tregun evropian,” thekson INDEP.

Raporti nënvizon se taksa e karbonit është një instrument që po përdoret gjerësisht në botë. Vetëm në vitin 2024, mekanizmat globalë të çmimit të karbonit kanë gjeneruar mbi 100 miliardë dollarë për qeveritë, ndërsa gjysma e këtyre të ardhurave është riinvestuar në politika klimatike dhe zhvillim të qëndrueshëm. INDEP konsideron se edhe Kosova duhet të përfitojë nga ky model dhe të krijojë një mekanizëm të qëndrueshëm financiar për tranzicionin energjetik.

Sipas INDEP, Kosova ka nevojë për një qasje të integruar fiskale që bashkon instrumentet financiare të gjelbra nën një institucion të vetëm – EkoFondin. Ky fond do të menaxhonte të ardhurat që do të gjeneroheshin nga taksa e karbonit sapo të vendosej sistemi kombëtar, të ardhurat e Fondit për Efiçiencë të Energjisë, të hyrat nga taksa e plastikës, gjobat mjedisore, si edhe grantet dhe donacionet ndërkombëtare.

Për të mundësuar funksionimin e këtij fondi, INDEP rekomandon amendimin e Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike, i cili aktualisht nuk e lejon krijimin e fondeve të dedikuara jashtë buxhetit të përgjithshëm të shtetit. Raporti thekson se EkoFondi duhet të ketë një strukturë ndërinstitucionale të menaxhimit dhe të garantojë transparencë përmes raportimit vjetor sipas standardeve të BE-së për transparencë fiskale.

INDEP argumenton se krijimi i një sistemi të çmimit të karbonit dhe themelimi i EkoFondit do të sillnin përfitime të mëdha për Kosovën. Sipas raportit, këto masa do të rritnin stabilitetin fiskal duke zëvendësuar subvencionet joefikase, do të përgatitnin vendin për integrim në tregun e përbashkët të energjisë të BE-së dhe do të rrisnin transparencën në përdorimin e fondeve publike. Raporti shton se këto mekanizma do të nxisnin inovacionin dhe do të krijonin tregje të reja për kredi dhe kompensime të karbonit brenda vendit.

Dokumenti i INDEP përfundon se Kosova mund t’i shndërrojë detyrimet e saj ndërkombëtare në avantazh strategjik kombëtar vetëm nëse vepron me vendosmëri dhe transparencë. “Krijimi i EkoFondit dhe vendosja e çmimit të karbonit do ta poziciononin Kosovën si një shembull rajonal në menaxhimin e financave të gjelbra,” thuhet në raport. Në një kohë kur politikat klimatike po bëhen të domosdoshme për konkurrueshmërinë ekonomike, INDEP paralajmëron se çdo vonesë e mëtejshme do t’i kushtojë vendit shumë më tepër se veprimi.