Home / Highlights / Një ide e mirë për sigurinë energjetike të Kosovës: Kosova B3, një projekt i mundshëm dhe një zgjidhje reale

Një ide e mirë për sigurinë energjetike të Kosovës: Kosova B3, një projekt i mundshëm dhe një zgjidhje reale

Projekt-vizioni i Luigj Imerit, ish-kreu i Korporatës Energjetike të Kosovës dhe një njohës i afirmuar i zhvillimeve elektroenergjetike të vendit, veçmas të KEK-ut, për “ndërtimin e një njësie të re prodhuese në vazhdim të TC Kosova B, Kosova B3 me kapacitet rreth 500 megavatësh, që paraqet zgjidhjen më reale, më ekonomike dhe më të qëndrueshme për vendin”, për mendimin e shumëkujt, dhe të ekspertëve të shumtë të energjetikës në vend, do të ishte zgjidhje fatlume dhe reale për të tejkaluar domosdo krizën elektroenergjetike në Kosovë. 

Luigj Imeri, ish-kreu i Korpotatës Energjetike të Kosovës dhe një njohës i afirmuar i zhvillimeve elektroenergjetike të vendit, veçmas të KEK-ut, këto ditë në rrjetet sociale ka paraqitur një ide, projekt-vizion për sigurinë e mundshme energjetike të Republikës së Kosovës, që nga shumëkush, edhe nga ekspertë të fushës, pas bërjes publike të tij, konsiderohet se do të ishte një zgjidhje fatlume dhe reale për të tejkaluar krizën elektroenergjetike në Kosovë.

Sipas vlerësimeve të Imerit, duke pasur parasysh nevojat strategjike për sigurinë energjetike të Kosovës “ndërtimi i një njësie të re prodhuese në vazhdim të TC Kosova B, Kosova B3 me kapacitet rreth 500 megavatësh, paraqet zgjidhjen më reale, më ekonomike dhe më të qëndrueshme për vendin”. 

Sipas Imerit, ky projekt mund të realizohet duke shfrytëzuar projektin ekzistues të zhvilluar nga General Electric (GE) për “Kosovën e Re”, i cili tashmë është pronë e Republikës së Kosovës. 

“Si i tillë, nuk ka nevojë për projektim të ri, duke kursyer kohë, mjete financiare dhe duke shmangur vonesa administrative”, ka detajizuar idenë e projektit të mundshëm dhe të realizueshëm Luigj Imeri. 

Ai ka elaboruar edhe aspektin financiar të projektit të paraqitur si vizion. Sipas tij, kostoja e përgjithshme e projektit vlerësohet rreth 1 miliard euro, ndoshta edhe më pak, për shkak të shfrytëzimit të infrastrukturës ekzistuese (lokacioni, lidhjet me rrjetin, uji ftohës, transporti i linjitit). 

Ndërsa ka paraparë që “projekti mund të financohet drejtpërdrejt nga buxheti i Republikës së Kosovës, i shpërndarë në një periudhë 5-vjeçare, me një ngarkesë vjetore jo më shumë se 200 milionë euro, nivel ky i përballueshëm për financat publike”. 

Sipas Imerit përfitimet strategjike me realizimin e njësisë B3 të termocentraleve Kosova B do të ishin: rritja e ndjeshme e sigurisë nacionale energjetike, duke reduktuar varësinë nga importi, stabilizimi dhe ruajta e kostos së energjisë për qytetarët dhe ekonominë vendore si dhe sigurimi i furnizimt të qëndrueshëm për zhvillim industrial dhe investime të reja. 

Imeri ka parashikuar në vizionin e tij edhe aspektin mjedisor të këtij projekti, duke shtuar se “falë përdorimit të teknologjisë më të avancuar të djegies së linjitit, ndikimi ambiental do të jetë dukshëm më i ulët krahasuar me njësitë ekzistuese, do të jetë në përputhje me standardet moderne evropiane për emetimet, dhe do të ishte një hap tranzitor realist drejt një sistemi më të gjelbër energjetik. 

Në përfundim të idesë së tij eksperti Luigj Imeri ka konkluduar se “TC Kosova B3 nuk është vetëm një projekt energjetik, por një investim strategjik shtetëror që garanton siguri, stabilitet ekonomik dhe mbrojtje sociale për qytetarët e Kosovës, duke shfrytëzuar maksimalisht asetet që shteti tashmë i zotëron”. 

Pas bërjes publike të këtij vizioni, ekspertë të shumtë të energjetikës në vend i kanë thënë Buletinit Ekonomik se ky projekt do të ishte zgjidhje fatlume dhe reale për të tejkaluar domosdo krizën elektroenergjetike në Kosovë. 

500 megavatë plus energji do të ishte një zgjidhje e mirë realisht e mundshme, goxha e shpejtë dhe, ç’është me rëndësi, projekti do të mund të ndërtohej deri në përmbyllje me mjete financiare të vendit. Por, njësia B3 me kapacitet 500 megavatësh do të valorizonte mundësitë e përdorimit të qymyrit si burim energjetik, i lënë anash në këto vitet e fundit në projektet zhvillimore në Kosovë nga frika e taksave të përdorimit të tij në prodhimin e energjisë elektrike dhe të ndikuar nga ca parashikime jo reale të dekarbonizimit të Kosovës të vijëzuar edhe nga dokumente, plane e rezoluta nga asociacionet ndërkombëtare energjetike. 

Duhet thënë se sado që në Kosovë, tash e sa vjet, sidomos që nga shpërfaqja evidente e krizës globale energjetike (2021-2022), ka mungesë evidente të energjisë elektrike dhe sado që ka rezerva marramendëse të qymyit (rreth 12-13 miliardë tonelata rezerva të verifikuara), dhe sado që kjo sasi e këtij resursi natyror energjetik gjendet thuaja në sipërfaqe të tokës dhe te dera e termocentraleve të vjetëruara, mundësia e përdorimit të qymyrit si burim energjetik edhe në këtë kohë krize të madhe, është bërë thuaja inekzistente. 

Në anën tjetër, në shumë vende të botës dhe sidomos të Europës, me gjithë premtimet për të bërë tranzicionin energjetik dhe dekarbonizimin sipas apeleve të asociacioneve ndërkombëtare energjetike, iu rikthyen qymyrit si burim energjetik. U aktivizuan shumë termocentrale të vjetra dhe u rivitalizuan shumë të tjera. Lufta ruso-ukrainase dhe kriza e shkaktuar nga reduktimi drastik i furnizimeve me gaz nga Rusia, e bëri sërish qymyrin në mënyrë të papritur shumë të kërkuar në Austri dhe Gjermani. Për të shmangur mungesën e energjisë, disa termocentrale gjithandej nëpër Europë kanë paralajmëruar përgatitjet për të prodhuar energji elektrike me qymyr. Nuk e fshehin fare tashmë as Austria e as Gjermania, synimin që centralet elektrike të funksionojnë sërish me qymyr, të paktën përkohësisht, edhe pse një rikthim te qymyri ka shkaktuar zemërim tek ambientalistët në të dyja vendet, duke akuzuar qeveritë përkatëse se kanë braktisur objektivat për të ndaluar ngrohjen globale. Berlini, përkundër protestave masovike të ambientalistëve pranoi se rikthimi në përdorim i qymyrit është diçka e hidhur por shumë e domosdoshme në këtë situatë emergjence. 

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë pati paralajmëruar se investimet globale të energjisë do të rriten me më shumë se 8% në 2022 dhe do të arrijnë në 2.4 trilionë dollarë, me një rritje të dukshme për zinxhirët e furnizimit me qymyr, por do të kërkohen shumë më tepër para nëse synimet e lidhura me klimën do të përmbushen. Një numër i ekonomive të mëdha kanë formuluar plane për të reduktuar varësinë e tyre nga hidrokarburet ruse në muajt e fundit, dhe në këto plane gjithnjë e më shumë zë vend rikthimi i qymyrit. 

Në Kosovë, megjithatë, sado që ka mungesë evidente të energjisë elektrike dhe sado që ka rezerva marramendëse të qymyrit, autoritetet në të shumtën e kohës kanë heshtur, ndonjëherë edhe kanë lansuar ndonjë parashikim herë se do të rindërtohet tërësisht Kosova A, herë se do të ndërtohen 2 blloqe të këtij termocentrali të stërvjetëruar, dhe së fundi zyrtarët, edhe vetë ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka potencuar se objektiv i rindërtimit të Kosovës A do të jetë vetëm një nga njësitë prodhuese të saj. Për rikthimin e qymyrit si mundësi dhe si përvojë që po e shqyrtojnë pa frikë tashmë shumë shtete të Europës, sidomos ato të fuqishmet ekonomikisht, nuk ka folur kush me dëshirë në Kosovë. 

Madje, ekspertët e shumtë të energjetikës në KEK dhe njohësit e zhvillimeve energjetike më me ëndje heshtnin fare, se sa flisnin publikisht për nevojat e domosdoshme për të investuar, qoftë në rindërtimin e kapaciteteve të stërvjetruara elektroenergjetike, qoftë në ndonjë kapacitet eventual të ri fare. Me fjalë të tjera, rikthimi i mundshëm i qymyrit në Kosovë ishte i anatemuar pafundësisht dhe në njëfarë mënyre ishte bërë temë e padiskutueshme brenda institucioneve, por edhe botës elektroenergjetike të vendit. 

Edhe në vizionet zhvillimore dhe në dokumentet që përmbajnë këto vizione, qymyri si resurs i deritashëm dhe mbi 90 për qind burim energjetik i vendit, është larguar thuaja tërësisht. Që në fillim të Strategjisë Energjetike 2022-2031, që çuditërisht dhe pa ndonjë sqarim bindës, ku me shifra dhe afate, parashihet goxha sasi e gjeneruar e energjisë elektrike, por bëhet fare pak fjalë për qymyrin. Ky dokument për zhvillimet e ardhshme energjetike mbështetet kryekëput në prodhimin e energjisë së rinovueshme duke potencuar si objektiv strategjik dekarbonizimin dhe promovimin e energjisë së ripërtëritshme. Dhe, prandaj ideja dhe vizioni i Luigj Imerit del të jetë i pranueshëm, i realizueshëm dhe shpresëdhënës. Duhet të sheshohet me tërë seriozitetin dhe potencialin disponues të institucioneve kompetente të vendit ky projekt real dhe premtues për stabilitet elektroenergjetik të vendit, krahas projekteve të energjisë së rinovueshme. /Buletini Ekonomik