Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se njësia A4 e Termocentralit Kosova A është ndalur në mënyrë të kontrolluar për shkak të rrjedhjeve të ujit në kaldajë, konkretisht në zonën e tejnxehësit.
Sipas njoftimit, ndalimi është vlerësuar si i domosdoshëm nga stafi teknik, në përputhje me standardet e sigurisë, me qëllim të parandalimit të dëmtimeve më të mëdha në pajisje.
Me këtë zhvillim, aktualisht vetëm një njësi prodhuese mbetet në operim, ndërsa tri njësi të tjera – B1, B2 dhe A5 – janë në remont të rregullt dhe në proces të zbatimit të projekteve të rehabilitimit dhe modernizimit, sipas planifikimit në Bilancin Vjetor Energjetik, përcjell Energy Monitor.
KEK ka theksuar se këto ndërhyrje janë të planifikuara dhe kanë për qëllim rritjen e besueshmërisë dhe performancës afatgjate të kapaciteteve prodhuese, pavarësisht ndikimit afatshkurtër në prodhim.
Ndërkohë, për të kompensuar mungesën e kapaciteteve, është aktivizuar bashkëpunimi me Korporata Energjetike Shqiptare, përmes shkëmbimit të energjisë, duke ndihmuar në ruajtjen e stabilitetit të furnizimit në vend.
Ekipet teknike pritet të fillojnë me identifikimin e saktë të problemit në njësinë A4 pas ftohjes së saj, me synim rikthimin në operim në kohën më të shkurtër të mundshme.



