Parku me kapacitet të pritshëm prej 600 MW, që po zhvillohet nga kompania amerikane CWP është “dëshmi se Shqipëria po ecën drejt një të ardhmeje energjetike të fortë”.
Kryeministri Edi Rama, së bashku me zëvendës kryeministren, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ndodhen në aktivitetin që po mbahet sa i takon parkut eolik të Tropojës.
Në konferencën për shtyp, Balluku theksoi se ky park përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt transformimit të sektorit energjetik dhe ndërtimit të një ekonomie të qëndrueshme.
Ajo u shpreh se parku eolik i Tropojës nuk është thjesht një investim energjetik, por një dëshmi konkrete e ndryshimit që po përjeton Shqipëria.
Sipas saj, sektori energjetik shqiptar po hyn në një fazë të re zhvillimi dhe vendi nuk është më i varur nga një burim i vetëm energjie.
“Po ecim drejt një ekonomie të qëndrueshme, ku tranzicioni energjetik nuk është më vetëm një ide apo premtim, por një realitet që po merr formë çdo ditë. Kjo skemë e re energjetike bazohet në zhvillimin e burimeve alternative”, tha Balluku.
Ajo bëri të ditur se gjatë viteve të fundit janë angazhuar mbi 2 miliardë euro investime private, të përqendruara kryesisht në burime të rinovueshme.
Sipas saj, portofoli aktual i projekteve pritet të çojë përpara kapacitete që tejkalojnë 1 500 kilovat-orë energji.
“Sa i përket energjisë diellore, kemi kaluar nga projekte pilot në impiante të mëdha prodhimi. Ndërsa në energjinë e erës, Shqipëria po hyn për herë të parë në fazën e realizimit të projekteve konkrete”, u shpreh Balluku.
Ministrja theksoi se zhvillimi i parqeve eolike nuk është rastësi, por rezultat i një strategjie të mirëmenduar, duke shtuar se këto projekte kanë vështirësi të veçanta si në fazën e studimit ashtu edhe në zbatim.
Sipas saj, një projekt i tillë kërkon të paktën 12 muaj monitorim, ose një cikël të plotë katërstinësh, por impakti i tyre në prodhimin e energjisë dhe në ekonomi është i jashtëzakonshëm.
Duke iu referuar situatës së fundit në vend, Balluku u shpreh se shpreson që ky event të jetë një ogur i mirë, pas një periudhe 10-ditore sfiduese për gjithë vendin.
Ajo vlerësoi projektet që po zhvillohen nga kompania SWP, duke i cilësuar si shembull të qasjes së qeverisë ndaj energjisë dhe ekonomisë së qëndrueshme.
Sipas saj, me një portofol të gjerë projektesh, SWP paraqitet si një garanci e fortë për histori suksesi me parkun eolik të Tropojës, duke kontribuar në uljen e varësisë nga importet, rritjen e sigurisë energjetike, krijimin e vendeve të punës, transferimin e teknologjisë dhe rritjen e të ardhurave.
Balluku nënvizoi gjithashtu se Shqipëria po investon fuqishëm në linjat e transmetimit, duke u lidhur me të gjithë fqinjët e saj. Sipas saj, vendi është tashmë ndër më të lidhurit në rajon për sa i përket sistemit të transmetimit, duke u ofruar investitorëve garanci të forta.
“Jemi të vendosur të vijojmë mbështetjen për kapacitete të reja gjeneruese. Nuk flasim më për plane në letër, por për projekte që funksionojnë në terren”, theksoi Balluku.
Ajo shtoi se për rrjedhojë, taksa e karbonit për produktet energjetike shqiptare është zero, si rezultat i investimeve të bëra me ide dhe strategji të qarta.
“Sipas të dhënave zyrtare të sistemit energjetik, niveli i arkëtimeve ka arritur në 100%, kapacitetet gjeneruese janë shtuar, prodhimi vendas i energjisë vijon rritjen e përvitshme dhe mbulon konsumin e brendshëm, ndërsa ndërprerjet e energjisë janë në minimumin e tyre historik”.
Balluku theksoi se projektet në sektorin energjetik nuk janë të orientuara vetëm drejt nevojave afatshkurtra, por synojnë ndërtimin e themeleve të një sistemi energjitik që do t’i shërbejë dekadave të ardhshme.
“Ne nuk po ndërtojmë thjesht projekte për të sotmen, por themelet e një sistemi energjitik që vendos në qendër qëndrueshmërinë, furnizon ekonominë dhe na afron me objektivat europianë”, u shpreh ajo.
Ministrja shprehu mirënjohjen e saj për kompaninë SWP, për besimin e treguar, durimin dhe bashkëpunimin gjatë dy viteve të fundit, duke theksuar se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të jetë në krah të investitorëve edhe në fazën e ndërtimit, pas marrjes së autorizimit për parkun eolik të Tropojës.
Balluku falënderoi gjithashtu partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për angazhimin dhe nxitjen e vazhdueshme të investimeve amerikane në sektorin e energjisë.
Sipas saj, projekte si parku eolik i Tropojës janë dëshmia më e qartë se Shqipëria nuk ndodhet më në fazën e premtimeve, por në fazën e rezultateve konkrete, mbi të cilat mund të mbështetet me besim çdo investitor i huaj.
“Shqipëria është një vend i hapur për investime serioze dhe partneritete strategjike. Është një partner i besueshëm dhe po ecën me hapa të sigurt drejt një të ardhmeje energjitike të qëndrueshme, të fortë dhe evropiane”, përfundoi Balluku.
Kujtojmë se në Forumin e Investimeve BE-Ballkani Perëndimor që u mbajt në Tiranë, kompania e mirënjohur CWP Europe nënshkroi një Deklaratë të Përbashkët Mbështetjeje për ndërtimin e Parkut të Erës në Tropojë, një nga projektet më të mëdha të energjisë së rinovueshme në Shqipëri.
Nënshkrimi u zhvillua në prani të kryeministrit Edi Rama dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila theksoi rëndësinë e investimeve të reja në energjinë e pastër për të ulur koston e energjisë dhe për të forcuar pavarësinë energjetike të rajonit.
“Sot po nënshkruani disa investime që do ta bëjnë pikërisht këtë. Nga prodhimi i energjisë së pastër në të gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor. Te ruajtja e energjisë në Mal të Zi. Ato do të ulin koston e energjisë elektrike. Dhe gjithashtu do të kontribuojnë në pavarësinë tonë kolektive energjetike. Ju po ndërtoni një shtyllë të re energjetike jo vetëm për Ballkanin Perëndimor. Por për të gjithë Evropën”, tha shefja e BE-së.
Projekti i Tropoja Wind Farm, me kapacitet 600 MW, synon të rrisë ndjeshëm prodhimin vendas të energjisë së pastër dhe të mbështesë strategjinë kombëtare të tranzicionit drejt burimeve të qëndrueshme.
Ky investim do të ndihmojë Shqipërinë të shfrytëzojë potencialin e saj të madh natyror për energjinë e erës dhe të forcojë bashkëpunimin rajonal në kuadër të transformimit të gjelbër të Ballkanit Perëndimor.
“Me Tropojën dhe Monteçevën, ne po zhbllokojmë potencialin e madh të energjisë së rinovueshme të rajonit dhe po forcojmë bashkëpunimin në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Ne e vlerësojmë shumë mbështetjen e Komisionit Evropian, Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve dhe Agjencisë së Promovimit të Investimeve të Malit të Zi në avancimin e këtij vizioni të përbashkët për një të ardhme energjitike të pastër, ekonomikisht konkurruese dhe të sigurt të rajonit dhe të Evropës në tërësi”, tha Dimitar Enchev, Drejtor Ekzekutiv në CWP Europe.
Një park gjigant ere në zonën e Tropojës pritet të vendoset në qendër të strategjisë kombëtare për energjinë e gjelbër, një investim që qeveria e cilëson si “një prej më të mëdhenjve në kontinent”.
Lajmin e bëri publik më 9 shtator zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë konferencës së ambasadorëve “Diplo 2025”.
“Në muajt në vijim po përgatitemi për një nga projektet më të mëdha eolike në kontinent. Parku i erës në Tropojë, i financuar nga një prej kompanive më të mëdha amerikane, do t’i shtojë kurorës sonë energjetike një tjetër komponent të gjelbër”, deklaroi Balluku.



