Home / Lajme / Rajoni / Shqipëria mbështet 8 milionë familje me 79 milionë euro të IPA III për instalimin e burimeve të ripërtëritshme

Shqipëria mbështet 8 milionë familje me 79 milionë euro të IPA III për instalimin e burimeve të ripërtëritshme

Programi operacional shumëvjeçar i Shqipërisë për energjinë, i mbështetur nga Instrumenti i Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA III), me një vlerë prej 79 milionë eurosh, pritet të hyjë në fuqi pas 15 ditësh, pas publikimit të marrëveshjes së financimit në Fletoren Zyrtare.

Ky program do të financohet nga Bashkimi Evropian me 50 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër prej 29 milionë euro do të sigurohet nga qeveria shqiptare.

Programi përqendrohet në tre fusha kryesore të mbështetjes, duke përfshirë edhe grante të drejtpërdrejta për qytetarët. Fusha e parë fokusohet në energjinë e rinovueshme dhe eficiencën energjetike të ndërtesave publike, ku investimet do të zhvillohen në katër bashki të përzgjedhura, duke përfshirë zyra, kopshte, biblioteka dhe qendra sociale e kulturore. Gjithashtu, do të ofrohet mbështetje financiare për rreth 8,000 familje private për instalimin e burimeve të rinovueshme të energjisë dhe masa për eficiencën energjetike, përmes një serie skemash grantesh.

Fusha e dytë është e fokusuar në infrastrukturën për karikimin me shpejtësi të lartë të automjeteve elektrike. Programi do të mbështesë harmonizimin e ligjeve dhe rregulloreve, investime, asistencë teknike dhe studime fizibiliteti. Një nga investimet kryesore do të jetë instalimi i 130 stacioneve të karikimit, përfshirë transformatorë energjetikë dhe një sistem të avancuar teknologjik për menaxhimin e rrjetit të karikimit.

Fusha e tretë synon eficiencën e energjisë dhe mbrojtjen e mjedisit në sektorin e ujit, duke përfshirë zëvendësimin e sistemeve të pompave në shtatë ndërmarrje ujësjellësish dhe instalimin e sistemeve të vogla fotovoltaike me një kapacitet total deri në 15 megavat.

Periudha e zbatimit të këtij programi do të nisë me hyrjen në fuqi të marrëveshjes së financimit dhe do të zgjasë për 12 vjet.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com