Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka tërhequr depot e saj të vendosura pranë objektit të ri të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, duke respektuar marrëveshjen e arritur me Universitetin e Prishtinës për lirimin e hapësirës deri më 22 janar 2026.
Largimi i depove është konfirmuar nga përfaqësues të Fakultetit dhe nga menaxhmenti i UP-së, të cilët kanë bërë të ditur se kjo hap rrugë për fazën e radhës, zhvendosjen e shtyllës së tensionit të lartë dhe të linjave elektrike, në përputhje me standardet teknike për furnizim me energji.
Çështja kishte ngritur shqetësime serioze në fund të vitit 2025, pasi moslargimi i depove dhe prania e linjës së tensionit të lartë po pamundësonin funksionalizimin e objektit të ri dhe po rrezikonin akreditimin e programeve të studimit të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë.
Me këtë veprim, pritet që të zhbllokohet procesi i funksionalizimit të objektit, ndërsa Universiteti i Prishtinës do të vazhdojë procedurat teknike dhe institucionale për zhvendosjen e infrastrukturës elektrike dhe kalimin e plotë të Fakultetit në ambientet e reja.



