Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka autorizuar ndërtimin e tri kapaciteteve të reja të energjisë elektrike nga panelet solare fotovoltaike, me fuqi të përgjithshme prej 108.2 megavatësh (MW).
Sipas komunikatës së ZRRE-së për seancën e 23 tetorit, autorizimet u janë dhënë kompanisë VBS për një projekt prej 8 MW në Komunën e Gjakovës, SOLARISS për një kapacitet prej 99 MW në Komunën e Pejës dhe Ariani Kompany për një projekt prej 1.2 MW në Komunën e Vushtrrisë.
Në të njëjtën seancë, Bordi miratoi kërkesat e ANIK ENERGY për zgjatjen e autorizimit edhe për gjashtë muaj dhe të EBE ENERGY për zgjatjen e tij edhe për 12 muaj, përcjell Energy Monitor.
Bordi vendosi gjithashtu t’ia vazhdojë licencën kompanisë EDS International KS për furnizim me energji elektrike edhe për pesë vjet, nga 23 tetori 2026 deri më 22 tetor 2031.
Një tjetër vendim ishte lëshimi i licencës për Ndërmarrjen Hidroekonomike Ibër-Lepenc për prodhimin e energjisë elektrike nga Hidrocentrali i Ujmanit, me kapacitet të instaluar prej 35 MW. Licenca është e vlefshme nga 23 tetori 2026 deri më 16 tetor 2027.
ZRRE-ja bëri të ditur se pikat e tjera të rendit të ditës, përfshirë aplikacionet e mbetura për licencim, do të shqyrtohen në vazhdimin e seancës XI, që do të mbahet në afatin më të shkurtër të mundshëm.



