Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka konfirmuar se tarifat administrative të bursës ALPEX dega në Kosovë për pjesëmarrësit nuk do të ndryshojnë për periudhën 2026–2028. Vendimi lidhet me të hyrat e lejuara të NEMO-së, Operatorit të Lejuar të Tregut të Energjisë Elektrike, dhe nuk ka ndikim në çmimet e energjisë për konsumatorët.
Në mbledhjen e parë të Bordit për vitin 2026, ZRRE shqyrtoi kërkesën e ALPEX-it për përcaktimin e të hyrave dhe tarifave të NEMO-së. Muharrem Gashi, Udhëheqës i Departamentit të Tarifave në ZRRE, bëri të ditur se të hyrat e lejuara përfshijnë komponentët standardë rregullatorë: kostot operative, investimet kapitale, amortizimet, kapitalin e punës dhe tarifën e licencës.
Ai theksoi se rritja e këtyre të hyrave nuk pasqyron ndryshim të tarifave për pjesëmarrësit, por lidhet me shtimin e volumit të energjisë që menaxhohet nga NEMO.
ZRRE gjithashtu sqaroi se tarifat administrative të ALPEX-it nuk kanë lidhje me çmimin e energjisë për konsumatorin final, i cili formohet automatikisht në bazë të ofertës dhe kërkesës në bursën e energjisë, për çdo ditë dhe çdo orë.
Vendimi vjen pas një procesi konsultimi publik që u zhvillua në dhjetor 2025, ku nuk u raportuan komente nga palët e interesit apo vetë ALPEX-i. Shqyrtimi është realizuar në përputhje me Ligjin për Rregullatorin e Energjisë,
Ligjin për Energji Elektrike dhe metodologjinë për përcaktimin e tarifave të NEMO-së, duke i dhënë ZRRE-së kompetencë për miratimin e të hyrave dhe strukturës tarifore.
Ky vendim siguron stabilitet dhe transparencë në funksionimin e tregut të energjisë, duke garantuar që pjesëmarrësit e bursës të vazhdojnë të operojnë pa ndryshime në tarifat administrative, ndërsa çmimet e energjisë përfundimtare vazhdojnë të formohen nga dinamika e tregut.



