Tirana do të presë këtë verë Shkollën Verore të Komunitetit të Energjisë 2026, një program njëjavor i dedikuar ekspertëve dhe profesionistëve të energjisë nga Ballkani Perëndimor dhe Evropa. Aplikimet për edicionin e sivjetmë janë hapur dhe do të qëndrojnë të hapura deri më 31 mars 2026, ora 23:59.
Programi do të zhvillohet nga 22 deri më 29 gusht 2026 në POLIS University, dhe përfshin leksione, punë grupore, studime rastesh dhe debate interaktive mbi sfidat më të rëndësishme të sektorit energjetik.
Ekspertë nga institucionet e BE-së, akademia, industria e energjisë dhe Sekretariati i Komunitetit të Energjisë do të udhëheqin sesionet, duke ofruar mundësi të rralla për të mësuar nga praktikuesit që formësojnë të ardhmen energjetike të Evropës, njofton Energy Monitor.
Për pjesëmarrësit, të gjitha shpenzimet e programit – përfshirë akomodimin, ushqimet, ekskursione dhe leksionet – do të mbulohen nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë. Pjesëmarrësit do të duhet të mbulojnë vetëm shpenzimet e udhëtimit nga qyteti i tyre deri në vendin e shkollës.
Ky edicion organizohet në bashkëpunim me International Visegrad Fund (IVF), GIZ në kuadër të Regional Climate Partnership (RCP) midis Gjermanisë dhe Ballkanit Perëndimor, dhe POLIS University, përcjell Energy Monitor.
Programi trajton temat kryesore të energjisë: sisteme energjetike, tregje, politika, ligj, dekarbonizim, gjeopolitikë, financa të qëndrueshme, çmimi i karbonit dhe integrimi i burimeve të ripërtëritshme, duke kombinuar teori me praktikë në një ambient ndërveprues.
Për më shumë informacione dhe për t’u regjistruar, klikoni: https://bit.ly/3YTPBdb



