Kancelari gjerman Friedrich Merz ka kritikuar ritmet e ngadalta të Bashkimit Evropian në miratimin e projekteve të energjisë së ripërtëritshme, duke i krahasuar ato me shpejtësinë e ndërtimit në Kinë.
Gjatë një fjalimi mbi konkurrueshmërinë ekonomike dhe tranzicionin energjetik në Evropë, të mbajtur në Berlin, Merz theksoi se “Kina ndërton fermat më të mëdha diellore në botë brenda pak muajsh, ndërsa në Bashkimin Evropian duhen vite vetëm për të siguruar miratimin e një projekti”, raporton Energy Monitor.
Ai propozoi një mekanizëm të ri për përshpejtimin e investimeve në energjinë diellore dhe në projekte të tjera strategjike. Sipas këtij propozimi, nëse autoritetet nuk shqyrtojnë kërkesat për leje brenda një afati të caktuar – disa javë apo muaj – projekti duhet të konsiderohet automatikisht i miratuar.
Sipas Merz, burokracia e zgjatur rrezikon ta lërë Evropën pas në garën globale për energjinë e pastër dhe teknologjitë e gjelbra. Ai nënvizoi se përshpejtimi i procedurave administrative është thelbësor për të ulur varësinë energjetike, për të forcuar industrinë evropiane dhe për të arritur objektivat klimatike, shkruan Energy Monitor.
Deklarata e kancelarit vjen në një kohë kur Bashkimi Evropian po përpiqet të rrisë kapacitetet e prodhimit të energjisë së ripërtëritshme, me qëllim përmbushjen e synimeve të Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane dhe garantimin e sigurisë energjetike në një mjedis gjeopolitik gjithnjë e më sfidues.



