Home / Lajme / Tjera / GPEK prezanton rezultatet e para të tranzicionit të gjelbër para donatorëve ndërkombëtarë

GPEK prezanton rezultatet e para të tranzicionit të gjelbër para donatorëve ndërkombëtarë

Projekti për Transformimin e Gjelbër të Ndërmarrjeve Private në Kosovë (GPEK) ka ndarë rezultatet e para të mbështetjes për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM), përfshirë kredi të gjelbra në vlerë prej mbi 880 mijë eurosh dhe krijimin e mekanizmave të rinj për financimin e investimeve në praktika më të qëndrueshme të biznesit.

Sipas njoftimit të Helvetas Kosovës, deri më tani janë lëshuar 24 kredi të gjelbra përmes mekanizmit të Depozitës së Gjelbër, me tri banka partnere të përfshira në këtë skemë, njofton Energy Monitor.

Në kuadër të projektit është hartuar edhe Inventari i Praktikave të Gjelbra të Bizneseve, i cili përfshin 122 ndërmarrje në Kosovë dhe dokumenton praktikat ekzistuese, përfitimet ekonomike, sfidat dhe mundësitë për zgjerimin e tyre.

Ndërkohë, është lansuar Fondi për Inovacion i GPEK-ut, i cili do të ofrojë grante bashkëfinancimi për ndërmarrjet që investojnë në praktika më të gjelbra. Ndarja e granteve të para pritet të bëhet së shpejti.

Projekti ka mbështetur gjithashtu organizimin e punëtorive për prodhimin Lean, shfrytëzimin efikas të burimeve dhe përputhshmërinë me standardet e Bashkimit Evropian, përfshirë Mekanizmin e Rregullimit të Kufirit për Karbonin (CBAM), përcjell Energy Monitor.

Një tjetër rezultat është themelimi i Forumit të Ekonomisë së Gjelbër, që synon të krijojë dialog të rregullt ndërmjet sektorit privat dhe institucioneve publike. Përmes Garës për Inovacion të Gjelbër Digjital 2026, projekti po mbështet edhe zhvillimin e zgjidhjeve digjitale për sfidat e tranzicionit të gjelbër.

Gjatë një vizite të delegacioneve të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedisë, në diskutimet për progresin e projektit morën pjesë edhe përfaqësues të Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA) dhe Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

GPEK është projekt i SDC-së, i bashkëfinancuar nga Suedia dhe i zbatuar nga Helvetas, me synimin për të ndihmuar ndërmarrjet e Kosovës të përmirësojnë praktikat mjedisore dhe konkurrueshmërinë e tyre.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com