Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka nisur një trajnim dyditor praktik për përfaqësuesit e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM), me fokus kuptimin dhe zbatimin e kërkesave të Mekanizmit të Rregullimit të Kufirit për Karbonin (CBAM) të Bashkimit Evropian.
Trajnimi synon t’u ofrojë bizneseve njohuri dhe aftësi praktike për t’u përgatitur për zbatimin e këtij mekanizmi, i cili ndikon në eksportet drejt tregut evropian dhe kërkon dokumentimin e emetimeve të karbonit gjatë proceseve të prodhimit.
Gjatë sesioneve, pjesëmarrësit do të njihen me mënyrën e funksionimit të CBAM-it, kostot e mundshme për bizneset, si dhe kërkesat për monitorimin, raportimin dhe verifikimin e emetimeve, përcjell Energy Monitor.
Trajnimi realizohet nga Berlin Economics, në partneritet me Net Zero Sustainability dhe REX Consulting Group, për Odën Ekonomike të Kosovës, me mbështetjen e projektit “Transformimi i Gjelbër i Ndërmarrjeve Private në Kosovë” (GPEK).
Aktiviteti vjen pas diskutimeve të fundit në Kosovë për ndikimin e CBAM-it në konkurrueshmërinë e ndërmarrjeve vendore dhe nevojën për ngritjen e kapaciteteve për matjen dhe raportimin e emetimeve.
GPEK është projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), i bashkëfinancuar nga Suedia dhe i zbatuar nga Helvetas Kosovo.



