Dikur e anashkaluar, zona përreth Aleksandrupolit tani ndodhet në qendër të planeve për të siguruar furnizimin me gaz dhe për të riformësuar hartën energjetike të Bashkimit Evropian.
Traka, në skajin juglindor të Europës, për dekada me radhë ka qenë një “kufi i harruar” në narrativën europiane, larg qendrave të vendimmarrjes dhe investimeve.
Sot, megjithatë, kjo panoramë po ndryshon me shpejtësi. Rajoni po shndërrohet në një nyje kritike gjeopolitike dhe energjetike, ndërsa Europa përshpejton shkëputjen nga energjia ruse dhe kërkon porta të reja, të sigurta për furnizimin me gaz.
Traka – dhe veçanërisht Aleksandrupoli – është tashmë në zemër të këtij ridizajnimi, duke marrë një rol gjithnjë e më të madh në diversifikimin energjetik të BE-së.
Nga një “kufi i harruar”, rajoni është shndërruar në një kryqëzim strategjik për sigurinë energjetike europiane.
Pse gazi mbetet ende i domosdoshëm
Ndërsa Europa përgatitet t’i japë fund përfundimisht varësisë nga energjia ruse, me importet e naftës dhe gazit rus që pritet të bien në zero deri në vitin 2028, në kryeqytetet europiane po zhvillohet një debat i fortë mbi mënyrën e sigurimit të fazës së ardhshme të furnizimit energjetik për familjet dhe bizneset.
Pavarësisht përpjekjeve shumëvjeçare për të përshpejtuar tranzicionin e gjelbër, gazi natyror — më i pastri ndër karburantet fosile — pritet të mbetet për vite me radhë pjesë kyçe e përzierjes energjetike të Europës, duke shërbyer si karburant tranzicioni.
Sipas analizave të Komisionit Evropian dhe organizatave ndërkombëtare të energjisë, gazi natyror vazhdon të luajë një rol thelbësor në stabilizimin e rrjeteve elektrike, balancimin e prodhimit nga burimet e rinovueshme dhe mbështetjen e sigurisë energjetike të industrisë.
Ndërprerja e flukseve ruse, e kombinuar me rimëkëmbjen graduale të kërkesës, ka krijuar një boshllëk të madh në tregun europian.
Deri në vitin 2030, vlerësohet se Europa Qendrore dhe Lindore do të ketë nevojë për rreth 35 miliardë metra kub (bcm) gaz shtesë në vit, të cilat do të duhet të mbulohen përmes infrastrukturës së re, furnizimeve të diversifikuara dhe rrugëve alternative.
Vendet që arrijnë ta mbushin këtë boshllëk pritet të përfitojnë në dy drejtime: përmes të ardhurave nga tranziti dhe tregtimi i gazit, si dhe përmes rritjes së ndikimit gjeopolitik si shtylla të strategjisë europiane të diversifikimit energjetik.
Beteja e Greqisë dhe roli vendimtar i Trakës
Ndërsa shtrëngimi energjetik i Rusisë ka lënë shumë gazsjellësa europianë të pashfrytëzuar plotësisht, gazi i lëngshëm natyror (LNG) po shfaqet si alternativa kryesore për të përmbushur kërkesën.
Në këtë treg, Greqia synon të sigurojë një pjesë të konsiderueshme, duke shfrytëzuar pozicionin e saj gjeografik dhe infrastrukturën ekzistuese — dhe në zgjerim.
Në qendër të kësaj strategjie qëndron i ashtuquajturi Korridori Vertikal, rrjeti i gazsjellësve që lidh dy terminalet LNG të vendit — FSRU-në në Aleksandrupoli dhe terminalin në Revithoussa — me sistemet e ndërlidhura të Bullgarisë dhe Rumanisë, duke lejuar transportin e gazit deri në Ukrainë.
I njëjti korridor mund të furnizojë edhe tregjet e Hungarisë, Sllovakisë dhe Moldavisë, duke forcuar sigurinë energjetike në Europën Qendrore dhe Lindore.
Njëkohësisht, po zhvillohen diskutime për zgjerimin e mëtejshëm të rrjetit, në mënyrë që LNG-ja, kryesisht me origjinë amerikane, të hyjë në Greqi dhe të shpërndahet në më shumë tregje europiane, përfshirë Italinë përmes TAP-it, si dhe Austrinë, duke e kthyer vendin në një portë kyçe të BE-së.
Për të mbështetur këtë ambicie, Greqia planifikon ndërtimin e një terminali të dytë lundrues FSRU.
Një nga kompanitë që po ecën në këtë drejtim është Gastrade, e cila operon FSRU-në e Aleksandrupolit.
Kompania ka marrë tashmë miratimin mjedisor nga shteti grek për instalimin e një njësie të dytë, pranë asaj ekzistuese.
Ky terminal do të quhet FSRU Thrace dhe do të vendoset në të njëjtën zonë detare me FSRU-në aktuale.
Megjithatë, projekti përballet me sfida të mëdha financiare. Kostoja e ndërtimit vlerësohet rreth 600 milionë euro — një shumë që, sipas drejtuesve të projektit, nuk mund të sigurohet pa mbështetje nga instrumentet financiare europiane ose fondet shtetërore.
“Poker” i fortë në Bruksel
Në Bruksel po luhet aktualisht një lojë politike dhe ekonomike me rrezik të lartë mbi të ardhmen e infrastrukturës së gazit në Europë.
Vitet e fundit, Komisioni Evropian ka mbajtur një qëndrim të fortë kundër financimit të projekteve të gazit, duke argumentuar se ato bien ndesh me tranzicionin e gjelbër dhe objektivat e neutralitetit klimatik.
Ky qëndrim kundërshtohet nga industria dhe qeveritë kombëtare, të cilat këmbëngulin se gazi do të mbetet i domosdoshëm për shumë vite.
Negociatat janë në vazhdim dhe presioni mbi Brukselin për të ndryshuar kursin po rritet.
“Jo vetëm Greqia po e kërkon këtë. Rumania, për shembull, po zhvillon fushën e re të gazit Neptune Deep dhe dëshiron të ketë mundësinë ta shesë në tregun europian,” thanë për Euronews përfaqësues të industrisë energjetike greke.
Roli i amerikanëve
Ndërsa Komisioni Evropian përballet me presion në rritje për të rishikuar politikën ndaj gazit, Shtetet e Bashkuara po lëvizin më shpejt.
Institucione të mëdha financiare amerikane, si EXIM dhe Korporata Ndërkombëtare për Financimin e Zhvillimit e SHBA-së, kanë shprehur interes për të ndihmuar në financimin e terminalit të dytë FSRU në Aleksandrupoli, duke e parë projektin si një mundësi për të rritur eksportet amerikane të LNG-së drejt Europës.
Kjo çështje do të jetë në fokus të një takimi të posaçëm të Departamentit amerikan të Energjisë në Uashington në fund të shkurtit, me synimin për të forcuar Korridorin Vertikal.
Në këtë takim do të marrin pjesë ministra të energjisë dhe përfaqësues të industrisë nga vendet e Europës Qendrore dhe Lindore.
“Takimi në Uashington do të ndiqet edhe nga një delegacion i Komisionit Evropian të Energjisë, i drejtuar nga drejtoresha e përgjithshme Ditte Juul Jørgensen,” tha Kostis Sifneos, nënkryetar i Gastrade.
Ai shtoi se financimi i projekteve të Korridorit Vertikal do të jetë një nga temat kryesore, ndërsa debati në Bruksel për infrastrukturën e gazit është intensifikuar.
“Vende si Ukraina, Hungaria dhe Sllovakia do të kenë nevojë për mbështetje europiane për të zëvendësuar gazin rus. Presim që kjo çështje të marrë zgjidhje pozitive deri në vitin 2026,” tha Sifneos.
Në një kohë kur siguria energjetike është në qendër të politikave europiane, projekte si terminalet lundruese të Aleksandrupolit do të shërbejnë si provë për një planifikim më realist energjetik.
Tashmë, të gjithë sytë janë drejtuar nga Brukseli, i cili në vitin 2026 pritet të vendosë kushtet dhe strategjinë gjeografike me të cilën gazi do të vazhdojë të rrjedhë në tregun europian.
/Përshtati nga Euronews, ekofin.al



