Një grup ndërkombëtar ekspertësh ka bërë thirrje që ndryshimet klimatike të shpallen Emergjencë Globale Shëndetësore nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO), duke e konsideruar krizën klimatike si një kërcënim të menjëhershëm për shëndetin publik.
Sipas Komisionit Pan-Evropian për Klimën dhe Shëndetin, temperaturat në rritje, valët e të nxehtit, ndotja e ajrit dhe përhapja e sëmundjeve të lidhura me klimën po shkaktojnë tashmë pasoja serioze në shëndetin e popullsisë.
Ekspertët argumentojnë se korniza aktuale ndërkombëtare nuk është e mjaftueshme për të adresuar krizën klimatike, e cila nuk është një ngjarje e izoluar, por një proces i vazhdueshëm dhe në përshpejtim, përcjell Energy Monitor.
Sipas tyre, një shpallje e tillë do të mundësonte koordinim më të fortë ndërkombëtar dhe masa urgjente të ngjashme me ato që përdoren në pandemitë globale. Ata kanë kërkuar që klima të trajtohet si emergjencë e nivelit të lartë ndërkombëtar për të detyruar veprim të koordinuar global.
Ndryshe, WHO dhe ekspertët e shëndetit publik theksojnë se Evropa po ngrohet dy herë më shpejt se mesatarja globale dhe se ndikimet klimatike tashmë po prekin sistemet shëndetësore.



