Home / Lajme / Tjera / KEK realizon aksin rrugor Mirash–Bardh, projekt strategjik për operimet energjetike dhe komunitetin

KEK realizon aksin rrugor Mirash–Bardh, projekt strategjik për operimet energjetike dhe komunitetin

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) është duke realizuar aksin rrugor Mirash–Bardh, me gjatësi prej rreth 6.3 kilometrash, një projekt që vlerësohet me rëndësi strategjike për funksionimin e termocentraleve dhe operimet e sistemit energjetik në vend.

Punimet po zhvillohen nga zona e deponisë së mbeturinave në drejtim të fshatit Bardh, duke përfshirë një segment që ka rëndësi të drejtpërdrejtë për infrastrukturën operacionale të KEK-ut, por edhe për lëvizjen e qytetarëve në zonat përreth.

Sipas KEK-ut, ky aks rrugor përbën një investim me rëndësi të shumëfishtë, pasi përveç përmirësimit të kushteve për operimet e brendshme të korporatës, ai sjell edhe lehtësim të dukshëm për komunitetin lokal, veçanërisht për banorët e komunave Obiliq dhe Fushë Kosovë, duke shkurtuar distancat dhe përmirësuar qarkullimin.

Kryeshefi Ekzekutiv i KEK-ut, Gramos Hashani, ka theksuar se projekti ka ndikim të drejtpërdrejtë si në stabilitetin operativ të sistemit energjetik, ashtu edhe në jetën e përditshme të qytetarëve të zonës, përcjell Energy Monitor.

“Ky projekt ka rëndësi të shumëfishtë strategjike, si për garantimin e operimeve stabile të KEK-ut dhe sektorit energjetik, ashtu edhe për komunitetin dhe qytetarët e kësaj zone. Përmes këtij investimi po ndërtojmë infrastrukturë moderne dhe të sigurt, e cila përmirëson efikasitetin operacional, por njëkohësisht edhe qarkullimin, qasjen dhe cilësinë e jetës për banorët e zonës”, ka deklaruar Hashani.

KEK vlerëson se realizimi i këtij aksi përbën një hap të rëndësishëm në modernizimin e infrastrukturës rrugore, rritjen e sigurisë në komunikacion dhe përmirësimin e kushteve për operimet e brendshme, si dhe për nevojat e përditshme të qytetarëve.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com