Në Shqipëri ka nisur zbatimi i një skeme të re që u mundëson konsumatorëve të shlyejnë detyrimet e prapambetura nga faturat e energjisë elektrike përmes pagesave me këste.
Skema është ndërmarrë nga Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU), pjesë e OSHEE Group, dhe përfshin detyrimet e krijuara deri më 31 dhjetor 2024. Sipas njoftimit të kompanisë, në këtë skemë mund të përfshihen të gjitha kategoritë e klientëve, ndërsa një fokus i veçantë u është kushtuar familjeve në nevojë.
Klientët familjarë që përfitojnë ndihmë ekonomike, pensionistët kryefamiljarë dhe personat me status të veçantë mund të lidhin marrëveshje për shlyerjen e detyrimeve përmes kësteve mujore që nisin nga 1,200 lekë. Kusht për përfitim nga kjo skemë është që konsumatorët të mos krijojnë detyrime të reja gjatë vitit 2026.
Ndërkohë, klientët e tjerë familjarë mund të shlyejnë faturat e prapambetura përmes kësteve mujore që nisin nga 2,800 lekë, për detyrimet e krijuara deri në fund të vitit 2024, duke respektuar gjithashtu kushtin që të mos kenë borxhe të reja gjatë viteve 2025 dhe 2026.
Sipas OSHEE Group, për të mundësuar një pagesë më të përballueshme, numri maksimal i kësteve mund të arrijë deri në 240. Konsumatorët mund të zgjedhin edhe këste më të larta se minimumi për të përfunduar më shpejt shlyerjen e detyrimit.
Në skemë përfshihen edhe institucionet buxhetore dhe ato jo-buxhetore. Për detyrimet nga 100 mijë deri në 500 mijë lekë parashikohen deri në 24 këste, ndërsa për detyrime mbi 10 milionë lekë mund të arrihet deri në 120 këste.
Një trajtim i veçantë është parashikuar edhe për faturat korrektive, faturat përmbledhëse apo rastet e testimit të matësit dhe energjisë së akumuluar, të cilat mund të paguhen deri në 24 këste.
Po ashtu, OSHEE Group ka paraparë ulje të konsiderueshme të kamatëvonesave për konsumatorët që vendosin të shlyejnë menjëherë të gjithë detyrimin. Klientët familjarë mund të përfitojnë ulje prej 70 për qind të kamatëvonesës, klientët jofamiljarë 50 për qind, ndërsa bizneset e vogla mund të përfitojnë falje të plotë të kamatëvonesës nëse e likuidojnë menjëherë detyrimin.
Sipas kompanisë, për të përfituar nga këto masa lehtësuese, konsumatorët duhet të kenë shlyer fillimisht detyrimet e krijuara gjatë vitit 2025. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, kësti i parë duhet të paguhet brenda shtatë ditëve, ndërsa pagesat vazhdojnë çdo muaj deri në shlyerjen e plotë të borxhit.
Autoritetet theksojnë se qëllimi i kësaj skeme është të ndihmojë qytetarët dhe bizneset në menaxhimin e detyrimeve financiare, duke ruajtur njëkohësisht stabilitetin financiar të kompanisë së furnizimit me energji elektrike.



