Kosova ka nënshkruar një kredi në vlerë prej 80 milionë eurosh me Bankën Zhvillimore Gjermane (KfW) për të mbështetur reformat në sektorin e energjisë dhe politikat klimatike. Marrëveshja u finalizua në një ceremoni ku morën pjesë Ministri i Financave, Hekuran Murati, dhe delegacioni i KfW-së, i përfaqësuar nga Pablo Obrador Alvarez.
Murati tha se kjo kredi do të shërbejë si mbështetje buxhetore për reformat e parashikuara në kuadër të integrimit energjetik me rajonin dhe Bashkimin Evropian, duke përforcuar konvergjencën dhe përgatitjen e sistemit energjetik të Kosovës.
“Sapo morëm pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të një kredie dhe një marrëveshjeje për grant. Kjo marrëveshje financiare është nënshkruar me KfW, Bankën Zhvillimore Gjermane. Bëhet fjalë për një mbështetje financiare në vlerën prej 80 milionë eurosh, e cila do të shërbejë si mbështetje buxhetore për reformat e parashikuara në kuadër të integrimit energjetik me rajonin dhe shtetet e tjera të Bashkimit Evropian. Këto reforma na afrojnë më shumë drejt konvergjimit, si në politika, ashtu edhe në përgatitjen e sistemit tonë energjetik, për të garantuar të drejta të plota në ENTSO-E dhe për integrimin në të gjithë sistemin energjetik rajonal e më gjerë. Kjo është një mbështetje e jashtëzakonshme për të cilën i jemi falënderues shtetit gjerman dhe bankës KfW. Besoj se bashkëpunimi ynë do të vazhdojë edhe më tutje, sidomos në fushën e energjisë, por edhe në fusha të tjera”, tha Murati.
Pablo Obrador Alvarez nga KfW theksoi se kjo është kredia e parë e bazuar në politika (policy-based loan) me Kosovën dhe se instrumenti synon të mbështesë financimin e projekteve infrastrukturore dhe zbatimin e reformave për tranzicionin energjetik.
“Për KfW-në, kjo është kredia e parë e bazuar në politika (policy-based loan) që po nënshkruajmë me Kosovën, prandaj ky është një hap shumë i rëndësishëm për ne. Ky instrument i ri synon të plotësojë financimin e projekteve të mëdha infrastrukturore në sektorin e energjisë, duke mbështetur qeverinë në zbatimin e reformave të nevojshme për tranzicionin energjetik. Falënderojmë qeverinë dhe juve personalisht, ministër, për besimin dhe bashkëpunimin shumë të mirë të deritanishëm. Shpresojmë që në vitet e ardhshme të realizojmë së bashku reformat e parashikuara në këtë program”, tha Obrador Alvarez.
Ky hap shënon një mbështetje të rëndësishme për sektorin e energjisë dhe forcon bashkëpunimin Kosovë-Gjermani në fushën e energjisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm.



