Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) ka hyrë në fazën përgatitore të projektit “Optimizimi i mekanizmave të financimit për Efiçiencë të Energjisë (EE) dhe Burime të Ripërtëritshme të Energjisë (BRE)”, një iniciativë që mbështetet nga Qeveria Gjermane dhe Qeveria Daneze përmes GIZ në Kosovë.
Në kuadër të këtij projekti, me qëllim të forcimit të koordinimit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, është zhvilluar një takim me përfaqësues të Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe zyrtarë komunalë të efiçiencës së energjisë.
Gjatë takimit janë diskutuar në detaje aspektet kryesore të projektit dhe hapat e mëtejmë për implementim, njofton Energy Monitor.
Projekti synon të mbështesë zhvillimin dhe pilotimin e programeve për investime në masa të integruara të efiçiencës së energjisë dhe burimeve të ripërtëritshme, duke u fokusuar në ndërtesat shumëbanesore dhe ato publike. Përmes këtyre ndërhyrjeve pritet të arrihet ulja e konsumit të energjisë, si dhe përmirësimi i kushteve të jetesës për qytetarët.
Duke thelluar bashkëpunimin ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror, FKEE synon të ndërtojë zgjidhje të qëndrueshme që kontribuojnë në një të ardhme më të gjelbër dhe me performancë më të lartë energjetike në Kosovë.



