Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë plenare të enjten, duke iu rikthyer punimeve pas pezullimit të masës së përkohshme nga Gjykata Kushtetuese. Kryesia e Kuvendit tashmë ka miratuar rendin e ditës, i cili përfshin një sërë projektligjesh dhe çështjesh procedurale, ndërsa në fokus pritet të jenë edhe dy tema të rëndësishme në sektorin e energjisë.
Në mesin e pikave të rendit të ditës, deputetët do të shqyrtojnë Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë me Bankën Evropiane për Investime (EIB) për projektin e energjisë diellore fotovoltaike në KEK – në kuadër të iniciativës “Porta Globale”. Ky projekt synon të mbështesë zhvillimin e kapaciteteve të reja të energjisë së ripërtëritshme në Kosovë dhe të reduktojë varësinë nga prodhimi me bazë linjiti.
Njëkohësisht, në seancë do të shqyrtohet edhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) për projektin e efiçencës së energjisë në ndërtesa publike. Ky projekt pritet të kontribuojë në uljen e konsumit të energjisë dhe përmirësimin e performancës energjetike në sektorin publik, përcjell Energy Monitor.
Përveç këtyre dy pikave, rendi i ditës përfshin edhe projektligje të tjera për ratifikim të marrëveshjeve financiare me Bashkimin Evropian, si dhe çështje të infrastrukturës dhe mjedisit. Seanca do të nisë me miratimin e procesverbaleve, deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.
Diskutimet për projektet energjetike pritet të tërheqin vëmendje të veçantë, duke pasur parasysh tranzicionin energjetik të Kosovës dhe përpjekjet për të rritur investimet në energji të ripërtëritshme dhe efiçencë.
Rendi i ditës i miratuar:
1. Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme,
2. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
3. Pyetjet parlamentare,
4. Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-008 për Ratifikimin e Marrëveshjes për qasje në Arsimin e Lartë dhe pranim për studime në Ballkanin Perëndimor,
5. Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-009 për Ratifikimin e Amendamentit “nr.3 të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për Programin IPA 2018“,
6. Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-010 për Ratifikimin e “Amendamentit nr. 2 të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për Programin IPA 2017“,
7. Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-011 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë mes Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin Energjia Diellore Fotovoltaike në KEK – Porta Globale,
8. Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-012 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e Përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) për Projektin e efiçencës së energjisë në ndërtesa publike,
9. Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-013 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë “ Projekti i Rrugës me Shpejtësi të Lartë Prishtinë – Mitrovicë” (Kredi shtesë) ndërmjet Fondit Saudit për Zhvillim dhe Republikës së Kosovës,
10. Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-014 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin “Impianti për Trajtimin e Ujërave të Zeza në Podujevë”,
11. Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Komisionit të Pavarura të Mediave,
12. Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për tre (3) anëtarë nga radhët e komunitetit shqiptar dhe për dy (2) anëtarë jo shumicë në Komisionin e Pavarura të Mediave,
13. Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për gjashtë (6) anëtarë nga komuniteti shqiptar, një (1) anëtar nga komuniteti serb dhe një (1) antar nga komunitetet jo shumicë në Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës,
14. Propozimi i GP të Listës Serbe për emërimin e deputetit Branislav Nikoliq në komisione parlamentare.
15. Shqyrtimi i propozimeve dhe i kërkesave



