Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka ngritur shqetësime serioze lidhur me mungesën e raportit konsultativ për Përshtatjet Vjetore të të Hyrave të Lejuara Maksimale (MAR) për vitin 2026, vetëm një ditë para nisjes së vitit të ri tarifor më 1 prill.
Sipas INDEP, ky raport përbën bazën kryesore për vendimmarrjen mbi tarifat e energjisë elektrike, dhe mungesa e tij në këtë fazë e bën të paqartë të gjithë procesin, duke pamundësuar një konsultim publik real dhe të informuar.
Instituti thekson se procesi tarifor për vitin 2026 nuk është i papritur, pasi aplikimet e operatorëve kanë nisur që në janar, ndërsa cikli tarifor zhvillohet çdo vit. Në këtë kontekst, vonesa në publikimin e raportit nuk mund të arsyetohet me faktorë teknikë apo kohorë, por përbën, sipas tyre, dështim në garantimin e transparencës dhe pjesëmarrjes publike.
INDEP rikujton se Ligji për Rregullatorin e Energjisë obligon Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) që për çdo vendim me ndikim të rëndësishëm – përfshirë tarifat – të zhvillojë konsultim të hapur publik, me publikim të dokumenteve relevante dhe afat të mjaftueshëm për komente. Në mungesë të raportit konsultativ, konsumatorët dhe palët e interesuara nuk kanë qasje në arsyetimin e ndryshimeve të mundshme të tarifave, duke e bërë pjesëmarrjen e tyre në proces praktikisht të pamundur.
Sipas INDEP, kjo situatë cenon disa parime themelore, përfshirë të drejtën për informim dhe pjesëmarrje, barazinë në proces dhe sigurinë juridike. Instituti paralajmëron se çdo vendim për tarifat i marrë pa publikimin paraprak të raportit dhe pa respektimin e afateve ligjore për konsultim publik do të ishte i kontestueshëm dhe i pambrojtur ligjërisht.
Po ashtu, INDEP kundërshton çdo mundësi të vendimmarrjes me efekt prapakthyes, duke argumentuar se transferimi i kostove te konsumatorët për periudha për të cilat ata nuk kanë qenë të informuar bie ndesh me parimet bazë të mbrojtjes së konsumatorëve.
Instituti i bën thirrje ZRRE-së që të publikojë pa vonesë raportin konsultativ për MAR 2026, të garantojë një periudhë të plotë konsultimi dhe të sigurojë transparencë të plotë në procesin e vendimmarrjes për tarifat e energjisë elektrike.



