Home / Lajme / Kosova / 12 milionë euro për Sitnicën: Rizvanolli premton fundin e ndotjes

12 milionë euro për Sitnicën: Rizvanolli premton fundin e ndotjes

Është nënshkruar kontrata 12 milionë eurosh me BE-në për ndërtimin e pesë impianteve për trajtimin e ujërave të ndotura dhe objektit për magazinimin e kimikateve.

Kjo kontratë u nënshkrua në kuadër të projektit “Përmirësimi i cilësisë së ujit të lumit Sitnica përmes ndërtimit të impianteve për trajtimin e ujërave të ndotura në TC ‘Kosova B’”.

Me këtë rast, ministrja Artane Rizvanolli theksoi se ky projekt përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të mbrojtjes së mjedisit në Kosovë.

“Ky projekt përputhet plotësisht me prioritetet tona sektoriale për forcimin e infrastrukturës energjetike publike si një shtyllë kyçe e sigurisë së furnizimit me energji. Prioriteti ynë nuk ka qenë vetëm ruajtja e kapaciteteve gjeneruese, por edhe përmirësimi i tyre duke i bërë më të besueshme, më efikase dhe në përputhje me standardet mjedisore”, ka thënë ajo.

Gjatë aktivitetit u prezantuan objektivat, rezultatet e pritshme dhe ndikimi i projektit, të cilat përfshijnë krijimin e një sistemi më të plotë dhe më të besueshëm për menaxhimin e rrjedhave të ndryshme të ujërave të ndotura, përfshirë ujërat industriale, ujërat me përmbajtje vajrash, ujërat e ndikuara nga kimikatet, rrjedhjet nga zonat e depozitimit të qymyrit, ujërat atmosferike dhe ujërat sanitare.

“Projekti pritet të sjellë përmirësime të ndjeshme në trajtimin e ujërave të ndotura dhe në uljen e ndotjes së lumit Sitnica, duke kontribuar në arritjen e standardeve më të larta mjedisore dhe shëndetësore”, njofton Ministria e Ekonomisë.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com