Home / Lajme / Kosova / Kurti: Do ta rikthejmë ligjin për çmimin tavan, përgjigje ndaj rritjes së çmimeve të naftës

Kurti: Do ta rikthejmë ligjin për çmimin tavan, përgjigje ndaj rritjes së çmimeve të naftës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Qeveria do të rikthejë në Kuvend projektligjin për çmimin tavan, si përgjigje ndaj rritjes së çmimeve dhe ankesave të qytetarëve për abuzime në treg.

Duke folur në seancën plenare të Kuvendit, ai tha se nëse ekziston pajtueshmëri për problemin, duhet të ketë pajtueshmëri edhe për zgjidhjen.

“Duhet ta rikthejmë ligjin për çmimin tavan, si një përgjigje ndaj një realiteti që çdo familje e ndjen çdo ditë. Bota po kalon nga kriza në krizë – nga pandemia në vitin 2020, tek lufta në Ukrainë në 2022 dhe tani tek zhvillimet në Lindjen e Mesme, ndërsa krizës energjetike të vitit 2022 po i shtohet edhe ajo e vitit 2026”, tha Kurti.

Ai theksoi se Qeveria ka ndërmarrë masa konkrete në secilën krizë, por shtoi se gjithmonë ka aktorë që përfitojnë nga situatat e tilla.

Sipas tij, disa tregtarë dhe biznese kanë shfrytëzuar krizën për të rritur në mënyrë artificiale çmimet, duke dëmtuar konsumatorët.

“Kur çmimi i produkteve bazike rritet përtej çdo logjike ekonomike, tregu e humb sensin e drejtësisë. Kur qytetari mbetet i pambrojtur, shteti duhet të ndërhyjë me maturi, por edhe me vendosmëri”, u shpreh ai.

Kurti shtoi se ndërhyrja e shtetit nuk është kundër tregut të lirë, por në funksion të drejtësisë në treg dhe mbrojtjes së konsumatorëve.

Ai rikujtoi se kjo iniciativë ishte ndërmarrë edhe më herët, por ishte kontestuar nga opozita në Gjykatën Kushtetuese.

“Do ta sjellim përsëri këtë projektligj dhe shpresojmë që këtë herë të ketë mbështetje më të gjerë. Problemet e përbashkëta kërkojnë përkrahje të përbashkët”, përfundoi Kurti.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com