Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, MINTI, ka intensifikuar masat për mbrojtjen e konsumatorëve në lidhje me verifikimin e njehsorëve elektrikë.
Pas verifikimit të parë, janë gjetur devijime në datë dhe orë, por matja e energjisë elektrike është në rregull.
MINTI do të kërkojë masa nga ZRRE dhe do të shqiptojë gjoba ndaj KEDS-it për shkelje të rregullave.
Sipas njoftimit të MINT, pas themelimit të një komisioni ad hoc për verifikimin e këtyre pajisjeve, procesi është duke vazhduar me ritëm të shtuar.
Nga rezultatet e deritanishme janë konstatuar disa gjetje kryesore. Fillimisht, është vërtetuar se një pjesë e njehsorëve kanë pasur afat të skaduar të vlefshmërisë. Po ashtu, janë evidentuar devijime kohore, si në datë prej rreth 2–3 ditësh, ashtu edhe në orë prej rreth 10–11 orësh krahasuar me kohën reale.
Verifikimi laboratorik io njehsorëve është realizuar në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës.
MINTI ka njoftuar se do të kërkojë zyrtarisht nga ZRRE marrjen e masave konform devijimeve të konstatuara. Ndërsa, duke u bazuar në Ligjin nr. 06/L-037, neni 23, paragrafët 4 dhe 5, si dhe neni 46, paragrafi 1.3, nënparagrafi 1.3.2, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) do të shqiptojë gjoba ndëshkimore ndaj KEDS-it, si pronar dhe shfrytëzues i njehsorëve, për çdo gjetje që lidhet me afatin e skaduar të vlefshmërisë së njehsorëve.
Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit në këtë ministri, deri më datën 30.03.2026, nuk ka pranuar asnjë ankesë nga konsumatorët për njehsorët e energjisë elektrike. Ndërsa, pas formimit të komisionit verifikues, vetëm gjatë dy ditëve, pranë këtij departamenti janë pranuar 209 ankesa, për të cilat komisioni është duke kryer verifikimin.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të parashtrojnë ankesat e tyre në adresën elektronike konsumatori@rks-gov.net, duke bashkëngjitur numrin e telefonit dhe adresën e banimit, në mënyrë që verifikimi të realizohet sa më shpejt të jetë e mundur.
Zyra e Rregullatorit për Energji është duke monitoruar situatën
Sipas ZRRE-së, procesi përfshin grumbullimin e informatave me qëllim që të sigurohet një matje e drejtë dhe e saktë e konsumit për të gjithë konsumatorët, duke garantuar kështu edhe faturim korrekt.
“ZRRE siguron konsumatorët se të gjitha rastet e raportuara për mospërputhje të kohës tarifore do të analizohen dhe shqyrtohen me kujdes. Nëse konstatohet se ka gabime në funksionimin e njehsorëve, do të ndërmerren masat e nevojshme në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim.
Më tej, ZRRE thekson se KEDS dhe KESCO operojnë si ndërmarrje të rregulluara brenda kornizës ligjore, ndërsa të hyrat e tyre përcaktohen nga vetë rregullatori, çka kufizon mundësinë e përfitimit nga gabimet eventuale në matje.
Sipas njoftimit, gabimet e mundshme në matjen e energjisë elektrike mund të kenë efekt të përkohshëm deri në identifikimin dhe korrigjimin e tyre.
ZRRE gjithashtu rikujton se përgjegjës për shqyrtimin dhe kalibrimin e njehsorëve elektrikë është Agjencia e Metrologjisë së Kosovës, si institucion kompetent për garantimin e saktësisë së pajisjeve matëse.
Në fund, ZRRE rithekson përkushtimin e saj për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe për sigurimin e një sistemi energjetik të drejtë, transparent dhe të besueshëm në vend.
/Telegrafi



