Mbledhja e Komisionit për Ekonomi, ku pritej të raportonte Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) mbi tarifat e reja, ka dështuar për shkak të mungesës së kuorumit. Në seancë munguan përfaqësues të ZRrE-së, si dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).
Janina Ymeri, zëvendëskryetare e parë e komisionit, tha se mungesa e pjesëmarrjes ishte një orkestrim i deputetëve të pushtetit për të penguar raportimin e ZRrE-së në Kuvend.
“ZRrE-ja nuk ka pasur plan për vitin 2024, nuk ka raport për vitin 2023, dhe nuk na informon për tarifat në veri. Nuk ka pengesa më as në tregun e veriut që i demanton vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Këto janë çështje financiare, por edhe sigurie, me të cilat ZRrE-ja duhet të merret dhe të tregojë qartë se si po vepron,” tha Ymeri.
Nga ana tjetër, deputeti i PDK-së, Ferat Shala, theksoi se është shqetësuese mungesa e pjesëmarrjes së deputetëve të LVV-së, duke e cilësuar situatën si presion politik ndaj sektorit energjetik.
“Mazhoranca nuk ka garantuar bashkëbisedim dhe raportim me ZRrE-në, një sektor kyç që po përballet me presion të jashtëzakonshëm politik. Qytetarët dhe institucionet duhet të marrin përgjigje për afatin ligjor të 1 prillit, i cili duhej të shënonte fillimin e rishikimit tarifor, por është shkelur. Nuk kemi as informacion për procesin e shtyrjes së daljes në tregun e lirë të një pjese të konsumatorëve,” tha Shala.
Ai shtoi se institucionet nuk kanë dhënë asnjë informacion mbi procesin hetimor për importet e energjisë, të cilin e ka shpallur publikisht kryeministri, ministrja dhe vetë ZRrE-ja.
“Qytetarët dhe institucionet nuk dinë deri ku ka shkuar ky proces dhe a ka filluar realisht hetimi,” tha Shala.



