Home / Lajme / Kosova / “Investime zero në energji, veç dy-tri themele me kacia” – Azemi: Qeveria ka dështuar

“Investime zero në energji, veç dy-tri themele me kacia” – Azemi: Qeveria ka dështuar

Sektori i energjisë në Kosovë vazhdon të përballet me sfida serioze, ndërsa mungesa e investimeve në kapacitete të reja prodhuese po e thellon varësinë nga importi dhe rrit kostot për qytetarët.

Në “Përballje Podcast”, Visar Azemi nga LDK ka kritikuar qeverinë për mungesë të plotë veprimi në zhvillimin e sektorit energjetik.

“A ka ndërtu diçka? Veç një dy-tri gur themele i ka qitë… dhe ka mbet gjithçka aty. Centralet ekzistuese janë jashtëzakonisht të vjetra dhe në një shtet normal ish dashtë me u dekomisionu, sepse e kanë kalu jetëgjatësinë e tyre”, ka thënë ai shkruan Telegrafi.

Azemi thekson se kapacitetet ekzistuese, si Kosova A dhe Kosova B, janë të vjetruara dhe në kushte normale do të duhej të dilnin jashtë funksionit. Sipas tij, ka munguar një strategji konkrete për zëvendësimin e këtyre kapaciteteve.

Ai shton se Kosova ka humbur mundësi për investime në energji, përfshirë edhe ofertat ndërkombëtare për ndërtim të kapaciteteve të reja.

“Amerika erdhi dhe dha opsionin për ndërtim me gaz, por nuk u shfrytëzua dhe Kosova u la në peng të importeve. Çmimi i energjisë u rrit dhe faturat u dyfishuan, sepse gjithçka është përkthy në faturë. Zero investime në energji të re. Është nis një projekt për park solar që katër-pesë vjet dhe kurrgjë s’ka ndodh – absolutisht zero”, ka deklaruar ai.

Azemi përmend edhe projektet e paralajmëruara për energji të ripërtëritshme, të cilat, sipas tij, kanë mbetur vetëm në letër.

Sipas tij, pa ndërtimin e kapaciteteve të reja, sektori i energjisë nuk mund të funksionojë si duhet.

“Pa ndërtu kapacitetet tona, ti nuk mundesh me drejtu sektorin e energjisë. Nëse nuk prodhojmë vetë, Kosova jo që s’ka me pasë furnizim të qëndrueshëm, por rrezikon edhe sigurinë nacionale”, ka deklaruar ai./Telegrafi

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com