Home / Lajme / Kosova / Elektrostublla nënshkruan kontratë strategjike për projektin Kosova B me Engineering Dobersek

Elektrostublla nënshkruan kontratë strategjike për projektin Kosova B me Engineering Dobersek

Kompania Elektrostublla L.L.C. ka nënshkruar një kontratë strategjike me kompaninë gjermane Engineering Dobersek GmbH për realizimin e punimeve elektrike dhe mekanike në njësitë Kosova B1 dhe B2, në kuadër të projektit për reduktimin e emetimeve ndotëse në Termocentralin Kosova B.

Projekti, i cili financohet nga Bashkimi Evropian, synon reduktimin e pluhurit dhe oksideve të azotit (NOx), duke përmirësuar ndjeshëm performancën mjedisore të njërit prej aseteve kryesore energjetike në vend. Engineering Dobersek GmbH udhëheq konsorciumin përgjegjës për zbatimin e projektit.

Sipas njoftimit të kompanisë, ky angazhim përfaqëson një moment të rëndësishëm strategjik për Elektrostublla, duke dëshmuar kapacitetin e saj për të kontribuar në projekte komplekse industriale dhe energjetike sipas standardeve evropiane, në partneritet me kompani ndërkombëtare liderë.

Projekti pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në modernizimin e Termocentralit Kosova B, uljen e emetimeve ndotëse, përmirësimin e efikasitetit operacional të njësive B1 dhe B2, si dhe harmonizimin me direktivat mjedisore të Bashkimit Evropian.

Nga Elektrostublla theksohet se përfshirja në këtë projekt të rëndësishëm për sektorin energjetik dhe mjedisor të Kosovës forcon më tej pozitën e kompanisë si një partner i besueshëm në tregun rajonal dhe evropian.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com