Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, në bashkëpunim me CEE Bankwatch Network, Balkan Green Energy News, Climate Action Network Europe dhe Regional Youth Cooperation Office, ka hapur thirrjen për edicionin e dytë të “Just Transition Young Voices Awards 2026”.
Iniciativa synon të fuqizojë zërin e të rinjve në rajonin e Komunitetit të Energjisë, duke i ftuar ata të ndajnë perspektivat dhe zgjidhjet e tyre mbi tranzicionin energjetik dhe klimatik në vendet e Evropës Juglindore dhe Lindore.
Ndryshe nga edicioni i vitit të kaluar, i cili u fokusua në tregime të shkruara, këtë vit pjesëmarrësit ftohen të aplikojnë përmes videove, duke iu përgjigjur pyetjes: “Çfarë do të thotë për ty dhe komunitetin tënd tranzicioni i drejtë energjetik”. Videot mund të pasqyrojnë realitetet lokale, sfidat dhe idetë për zgjidhje, përcjell Energy Monitor.
Aplikantët mund të marrin pjesë në dy kategori, ku përfshihen formatet kreative si video të shkurtra, reels, TikTok, poezi apo këngë, si dhe formatet më të gjata si intervista apo dokumentarë të shkurtër.
Në garë mund të marrin pjesë të rinj të moshës 18 deri në 30 vjeç nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia, individualisht ose në ekipe prej dy personash.
Fituesit do të ftohen të marrin pjesë dhe të prezantojnë punimet e tyre në Forumin për Tranzicion të Drejtë që do të mbahet në Mal të Zi këtë tetor, si dhe do të përfitojnë mundësi trajnimi dhe ekspozim në nivel rajonal përmes platformave partnere mediatike.
Afati i fundit për aplikim 10 gushti 2026.
Si të aplikoni
Aplikantët ftohen të dorëzojnë një video të shkurtër në njërën nga dy kategoritë e mëposhtme:
- “Creativity for Impact” (30 sekonda – 3 minuta), e cila përfshin formate kreative si reels, TikTok, poezi, këngë apo forma të tjera kreative.
- “Storytelling for Impact” (3–5 minuta), që përfshin video shpjeguese, intervista ose dokumentarë të shkurtër.
Kush mund të aplikojë
Mund të aplikojnë të rinj të moshës 18–30 vjeç nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia, individualisht ose në ekipe prej dy personash.



