Home / Lajme / Kosova / FKEE në konferencën ndërkombëtare të Passive House – fokus në standardet më të avancuara të efiçiencës së energjisë

FKEE në konferencën ndërkombëtare të Passive House – fokus në standardet më të avancuara të efiçiencës së energjisë

Përfaqësues të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) kanë marrë pjesë në Konferencën e 28-të Ndërkombëtare të Institutit Passive House (PHI), e mbajtur në Essen, Gjermani – një nga ngjarjet më të rëndësishme globale në fushën e ndërtesave me performancë të lartë energjetike.

Në këtë konferencë, e cila shënoi 30-vjetorin e themelimit të Institutit Passive House dhe 35-vjetorin e ndërtimit të shtëpisë së parë sipas këtij standardi, FKEE u përfaqësua nga drejtori i Departamentit të Operacioneve, Petrit Ahmeti, dhe arkitekti i lartë, Kreshnik Muhaxheri.

Gjatë pjesëmarrjes, delegacioni nga Kosova zhvilloi takime me figura kyçe të fushës, përfshirë themeluesin e PHI, Wolfgang Feist, si dhe drejtorin menaxhues të institutit Passive House në Austri, László Lepp. Këto takime shërbyen për të diskutuar zhvillimet më të fundit në projektimin dhe implementimin e ndërtesave me efikasitet të lartë energjetik, si dhe mundësitë për bashkëpunim të mëtejmë, transmeton Energy Monitor.

Përfaqësuesit e FKEE patën mundësinë të njihen nga afër me standardet dhe praktikat më të avancuara të konceptit Passive House, i cili konsiderohet një nga qasjet më efektive për reduktimin e konsumit të energjisë në sektorin e ndërtesave.

Sipas FKEE, pjesëmarrja në këtë konferencë kontribuon në forcimin e kapaciteteve profesionale dhe në transferimin e njohurive ndërkombëtare në Kosovë, në një kohë kur rritja e efiçiencës së energjisë mbetet një prioritet kyç për tranzicionin energjetik të vendit.

Pjesëmarrja u realizua me ftesë të Institutit Passive House dhe me mbështetjen e GIZ Kosovo, duke thelluar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe shkëmbimin e përvojave në këtë sektor.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com