Home / Lajme / Ndërkombëtare / Franca mbledh vendet e G7 për mineralet kritike/ Strategji për të frenuar dominimin e Kina në tregjet globale

Franca mbledh vendet e G7 për mineralet kritike/ Strategji për të frenuar dominimin e Kina në tregjet globale

Franca do të zhvillojë këtë të enjte një takim online me vendet e G7, ku në fokus do të jetë strategjia për të reduktuar varësinë nga Kina në sektorin e mineraleve kritike.

Nisma u konfirmua nga ministri francez i Financave, Roland Lescure, i cili theksoi se qëllimi është përgatitja e një plani të përbashkët për samitin e liderëve të G7 që do të mbahet në qershor në Evian.

Sipas tij, Kina ka arritur të dominojë këtë treg përmes investimeve të mëdha dhe politikave agresive të çmimeve, duke nxjerrë jashtë loje shumë konkurrentë ndërkombëtarë.

Franca synon të luajë një rol kyç në këtë proces, duke ndërtuar një zinxhir të plotë furnizimi për metalet e rralla – nga sigurimi i lëndëve të para deri te përpunimi dhe prodhimi i komponentëve strategjikë si magnetet e përhershëm.

Këto materiale janë thelbësore për industri të rëndësishme si automjetet elektrike, energjia e rinovueshme, elektronika dhe mbrojtja, çka i bën ato një prioritet strategjik për ekonomitë perëndimore.

Në planin afatmesëm, Parisi synon që deri në vitin 2030 të mbulojë tërësisht nevojat evropiane për disa kategori metalesh të rralla dhe të reduktojë ndjeshëm varësinë nga importet.

Takimi i G7 pritet të jetë një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një bashkëpunimi ndërkombëtar më të koordinuar, në një përpjekje për të balancuar ndikimin e Kinës në këtë sektor kyç global.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com