E Ngarkuara me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati ka theksuar partneriten “prej 237 milionë dollarësh” midis Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Kosovës përmes MCC-së.
Ajo mori pjesë në një ngjarje të Kompaktit MCC-Kosova, ku u nënvizua progresi i arritur deri më tani dhe ndikimi i këtij investimi në sektorin energjetik të vendit.
Sipas njoftimit të ambasadës, ky partneritet synon të forcojë sigurinë energjetike në Kosovë, duke adresuar sfidat e furnizimit me energji elektrike dhe duke krijuar mundësi të reja për zhvillim ekonomik.
“Ky investim historik po e forcon sigurinë energjetike duke adresuar furnizimin e pasigurt me energji elektrike, ndërsa krijon mundësi të reja tregtare për kompanitë amerikane në infrastrukturën energjetike, ruajtjen e energjisë dhe zhvillimin e fuqisë punëtore. Ky investim mbështet rritjen tonë të përbashkët ekonomike afatgjatë. Siguria energjetike është siguri kombëtare,” thuhet në njoftim.
Programi i MCC-së në Kosovë përfshin ndër të tjera investime në sistemet e ruajtjes së energjisë, zhvillimin e kapaciteteve njerëzore dhe përmirësimin e infrastrukturës energjetike, me synim rritjen e qëndrueshmërisë dhe pavarësisë së sistemit energjetik të vendit.



