Home / Lajme / Rajoni / Sllovenia ofron 29.5 milionë euro grante për projekte diellore dhe me erë

Sllovenia ofron 29.5 milionë euro grante për projekte diellore dhe me erë

Sllovenia ka hapur një thirrje publike për financim të projekteve të energjisë së ripërtëritshme, duke përfshirë impiantet me erë dhe panelet diellore. Paketa financiare arrin në 29.5 milionë euro dhe mbështetet nga Fondi i Modernizimit i Bashkimit Evropian. Afati i fundit për dorëzimin e aplikacioneve është 7 janari 2026.

Këtë herë, mbështetja financiare vlen vetëm për projektet që janë përfshirë në listën prioritare të investimeve. Ato mund të përfitojnë deri në 45 për qind të kostove për ndërtimin e kapaciteteve të energjisë me erë dhe diell, ndërsa për sistemet me bateri subvencionimi shkon deri në 30 për qind. Për projektet që përfshijnë magazinim, kërkesa minimale është 0.75 kilovat orë kapacitet magazinimi për çdo kilovat kapacitet prodhues.

Nga 21 projektet në listën prioritare, pesë janë të orientuara drejt burimeve të ripërtëritshme të energjisë. Të gjitha këto projekte janë pjesë e grupit shtetëror HSE, që menaxhon pjesën më të madhe të sektorit publik të energjisë në Slloveni. Këtu përfshihen, ndër të tjera, parku me erë në Ojstrica, zgjerimi i impiantit fotovoltaik Zlatoličje-Formin dhe një projekt diellor me kapacitet prej 9.9 megavatësh në ish-deponinë Pobrežje.

Projekti më ambicioz në listë është një termocentral diellor lundrues, i cili përfshin bateri për ruajtjen e energjisë dhe kapacitete për prodhimin e hidrogjenit të gjelbër, i gjithashtu nën menaxhimin e grupit HSE.

Megjithatë, pavarësisht mbështetjes financiare dhe interesit të tregut, nga gjithsej 1 117 projekte të aprovuara deri në fund të vitit 2024, vetëm 254 janë përfunduar me sukses. Kapaciteti total i instaluar prej tyre është 112.6 megavatë, çka tregon për vonesa të konsiderueshme për shkak të procedurave burokratike, sfidave mjedisore dhe rezistencës nga komunitetet lokale.

Sllovenia aktualisht renditet ndër vendet me përfshirjen më të ulët të energjisë së erës në Bashkimin Evropian, me vetëm tri turbina të instaluara në gjithë territorin e saj. Kjo thirrje për grante synon të ndryshojë këtë situatë, përmes nxitjes së investimeve dhe zgjerimit të rolit të burimeve të ripërtëritshme në sistemin energjetik të vendit.