Në Prishtinë më 26 maj do të mbahet ngjarja hapëse e “Energy Efficiency Communities (EEC) Service Model”, një iniciativë që synon përmirësimin e performancës energjetike në ndërtesat shumë-banesore dhe mbështetjen e objektivave të Kosovës për tranzicion energjetik dhe efiçiencë të energjisë.
Sipas Balkan Green Foundation, modeli synon të krijojë një qasje të integruar për renovimin dhe menaxhimin energjetik të ndërtesave kolektive, duke lidhur financimin, zbatimin teknik dhe koordinimin institucional në një mekanizëm të vetëm që mundëson investime më të shpejta dhe më efektive në kursimin e energjisë.
Në kuadër të eventit do të zhvillohet paneli “Scaling Energy Efficiency in Multi-Apartment Buildings”, i cili do të fokusohet në mënyrat praktike se si mund të zgjerohet zbatimi i masave të efiçiencës në ndërtesat shumë-banesore në Kosovë.
Në panel do të diskutohet roli i institucioneve financiare dhe mekanizmave të dedikuar të financimit, përfshirë Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, si instrument kyç për investime konkrete në renovimin energjetik të ndërtesave dhe uljen e konsumit të energjisë në nivel familjar, përcjell Energy Monitor.
Po ashtu, do të trajtohet perspektiva e menaxhimit të ndërtesave dhe implementimit në terren, si dhe sfidat praktike që lidhen me organizimin e komuniteteve të banorëve dhe koordinimin e ndërhyrjeve në ndërtesa shumë-banesore.
Një tjetër fokus i rëndësishëm i diskutimit do të jetë roli i institucioneve financiare ndërkombëtare dhe partneriteteve zhvillimore në zgjerimin e këtyre modeleve, përmes financimit, asistencës teknike dhe mbështetjes për ndërtimin e kapaciteteve institucionale në Kosovë.
Iniciativa mbështetet nga projekti “Energy transition and climate mitigation in Kosovo”, i financuar nga Dukati i Madh i Luksemburgut dhe i implementuar nga LuxDev.




