Në mungesë të një tregu funksional të balancimit dhe neglizhencës së ZRrE-së në mbikëqyrje, në Kosovë barra financiare për jo-balancat u ngarkohet konsumatorëve në tarifa.
Rreth 40 milionë euro pritet të ngarkohen sivjet në tarifat e energjisë elektrike në emër të ‘shërbimeve ndihmëse’, apo energjisë së blerë për balancim të sistemit elektroenergjetik. Kjo është dyfish më shumë krahasuar me vitin 2024, kur për këtë kosto ishin ngarkuar në tarifa rreth 20 milionë euro.
KOSTT ka paraqitur kërkesën për shërbime ndihmëse për vitin 2026 në shumën prej 45.00 milionë euro, por ZRrE ka propozuar një nivel prej 39.64 milionë euro.
Kjo kosto ka të bëjë me devijimet që shkaktojnë në rrjetin interkonektiv evropian operatorët nga Kosova, si KESCO, KEDS, KEK dhe prodhuesit e energjisë së ripërtëritshme.
Në mungesë të një tregu funksional të balancimit dhe neglizhencës së ZRrE-së në mbikëqyrje, në Kosovë barra financiare për jo-balancat u ngarkohet konsumatorëve në tarifa.
Një hulumtim disamujor i Buletinit Ekonomik, i publikuar në fillim të këtij viti, gjeti se rritja e kësaj kostoje erdhi kryesisht për shkak të dështimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) në mbikëqyrje të sektorit.
Hulumtimi zbulon një “amnisti” disavjeçare të ZRrE-së ndaj KESCO-s dhe KEK-ut, përkundër devijimeve të shpeshta që këta dy operatorë shkaktojnë në rrjetin e Kosovës.
Marrëveshja e kyçjes me ENTSO-E e obligon Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) për të siguruar këtë energji për balancim. Këtë energji KOSTT e ‘rezervon’ në Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) dhe është paraparë vetëm për balancim të sistemit në kohë reale.

Vetëm gjatë muajit janar 2026, në dy raste KESCO shkaktoi devijime në rrjetin interkonektiv evropian në nivele të papara më parë. Përkundër parashikimit që e kishte, KESCO kishte nominuar më pak energji, madje rreth 260 MW në orë të caktuara.
Kosova përgjatë ditëve 13, 14 dhe 21 janar kishte tërhequr nga rrjeti interkonektiv evropian energji shumë më shumë së që kishte parashikuar. Këto quhen devijime ose jo balanca të energjisë elektrike, që kur ndodhin shpesh mund ta rrezikojnë pozicionin e Kosovës karshi integrimeve në mekanizmat ndërkombëtar të energjetikës.
Krahas KESCO-s, devijime apo jo balanca të energjisë elektrike shpesh shkakton edhe Korporata Energjetike e Kosovës. KEK-u devijimet i shkakton nga rënia e paparashikuar e blloqeve, ose në rastet kur mbiprodhon, duke shtuar më shumë energji në rrjet.
Nga hulumtimi del se edhe KESCO edhe KEK-u, në shumë raste shkaktojnë devijime edhe me qëllim. KESCO, sepse duke e parashikuar më pak konsumin, i shmang blerjet e energjisë elektrike nga importi për atë ditë, duke ia lënë “barrën e importit” KOSTT-it, por tash si devijim. Nga kjo, sipas gjetjeve nga hulumtimi, KESCO përfiton në dy kahje: e para sepse fatura që i vjen për devijimet është më e lirë se “fatura” sikur të kishte blerë energji nga importi; dhe e dyta, nga kjo KESCO përfiton edhe në kohë, duke ia vonuar pagesat e faturave KOSTT-it për devijimet që ka shkaktuar. Rreth 20 milionë euro është aktualisht borxhi i KESCO-s ndaj KOSTT-it.
Në anën tjetër, KEK-u rastet kur shkakton devijime me qëllim janë kur shton në sistem më shumë energji se që ka nominuar një ditë më herët. Në këto raste, KEK për këtë energji si mbiprodhim, paguhet me çmim të bursës, që është katërfish më e shtrenjtë se çmimi i fiksuar prej 29.50 euro për megavat/orë për energjinë që e shetë për KESCO-n.
Devijime jo pa ndikim shkaktojnë edhe prodhuesit e energjisë së ripërtëritshme. Edhe këto për shkak të rregullativës ligjore që i favorizon në raport me konsumatorët, KOSTT është e obliguar t’ua blejë edhe energjinë elektrike si devijim.



