Home / Lajme / Kosova / Transformimi digjital i energjisë në fokus: Ministria e Ekonomisë e Kosovës prezanton platformën e re të raportimit

Transformimi digjital i energjisë në fokus: Ministria e Ekonomisë e Kosovës prezanton platformën e re të raportimit

Është mbajtur një punëtori dyditore mbi “Transformimin digjital në sektorin e energjisë”, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve kryesore të sektorit, të cilët u njohën nga afër me platformën e re digjitale të raportimit. Aktiviteti synon forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe mbështetjen e zbatimit të Strategjisë së Energjisë.

Punëtoria u organizua nga Ministria e Ekonomisë e Kosovës, në bashkëpunim me LuxDev, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të mënyrës së mbledhjes, menaxhimit dhe shkëmbimit të të dhënave në sektorin energjetik.

Platforma e re digjitale u prezantua si një mjet kyç për raportimin e aktiviteteve dhe indikatorëve të Strategjisë së Energjisë 2022–2031 dhe Programit të Zbatimit 2022–2025, me synimin që të jetë funksionale edhe për ciklin e ardhshëm 2026–2028.

Gjatë punëtorisë, pjesëmarrësit patën mundësi të testojnë platformën në praktikë, të familjarizohen me strukturën e raportimit dhe të japin komente për përmirësim. Sugjerimet e tyre janë reflektuar në versionin e përditësuar të sistemit, njofton Energy Monitor.

Platforma synon të centralizojë të dhënat e sektorit të energjisë, të mundësojë monitorimin e zbatimit të strategjisë përmes indikatorëve, të thjeshtëzojë proceset e raportimit dhe të zëvendësojë procedurat manuale me zgjidhje digjitale më efikase.

Punëtoria gjithashtu krijoi hapësirë për shkëmbim përvojash dhe diskutim të sfidave në mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave, duke ndihmuar në përmirësimin e koordinimit ndërmjet institucioneve dhe rritjen e cilësisë së informacionit.

Ky aktivitet kontribuon në rritjen e kapaciteteve institucionale dhe vendos bazat për një sistem raportimi më të unifikuar dhe transparent, duke mbështetur hartimin e politikave më të informuara dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të energjisë në Kosova.

Aktiviteti është realizuar në kuadër të projektit “Tranzicioni i energjisë dhe zbutja e klimës në Kosovë”, i financuar nga Dukati i Madh i Luksemburgut dhe i implementuar nga Ministria e Ekonomisë dhe LuxDev.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com