Home / Lajme / Kosova / Berishaj: Debati për energjinë në Kosovë po zhvillohet pa kontekstin real të sektorit

Berishaj: Debati për energjinë në Kosovë po zhvillohet pa kontekstin real të sektorit

Eksperti i politikave energjetike dhe mjedisit, Viktor Berishaj, vlerëson se debati politik për energjinë në Kosovë po zhvillohet shpesh pa marrë parasysh strategjitë, detyrimet dhe realitetet që tashmë e përcaktojnë drejtimin e sektorit energjetik të vendit.

Në një opinion të publikuar nga KALLXO.com, Berishaj thekson se gjatë fushatës zgjedhore janë rikthyer në qendër të diskutimeve premtime për gazifikim, termocentrale të reja me gaz, gazifikim të linjitit dhe kapacitete të reja me bazë qymyri. Sipas tij, megjithëse këto ide paraqiten si zgjidhje për sigurinë energjetike dhe zhvillimin ekonomik, debati shpesh anashkalon pyetjen kryesore: si përputhen këto propozime me strategjinë energjetike dhe obligimet ekzistuese të Kosovës?

Berishaj rikujton se Kosova tashmë ka miratuar Strategjinë e Energjisë, po finalizon Planin Kombëtar të Energjisë dhe Klimës dhe është pjesë e Komunitetit të Energjisë, duke harmonizuar gradualisht politikat e saj me ato të Bashkimit Evropian. Sipas tij, këto dokumente nuk janë vetëm deklarata politike, por instrumente që ndikojnë drejtpërdrejt në investime, financim dhe integrimin e vendit në tregun evropian të energjisë.

Ai thekson se diskutimi për teknologji të ndryshme duhet të mbetet i hapur, por vendimmarrja duhet të mbështetet në analiza të kostos, mundësive të financimit, ndikimit klimatik dhe përputhshmërisë me objektivat afatgjata të sektorit.

Debati për energjinë është bërë një nga temat kryesore të garës politike në Kosovë. Subjektet politike kanë prezantuar qasje të ndryshme, duke filluar nga rehabilitimi i kapaciteteve ekzistuese me linjit, zgjerimi i energjisë së ripërtëritshme dhe magazinimit të energjisë, deri te projektet e gazit natyror dhe gazifikimit të qymyrit.

Sipas Berishajt, sfida kryesore nuk është mungesa e ideve, por nevoja që diskutimi publik të zhvillohet mbi baza teknike dhe ekonomike. Ai vlerëson se e ardhmja energjetike e Kosovës kërkon debat të mbështetur në fakte dhe jo në slogane, në një kohë kur vendi po përballet me vendime të rëndësishme për sigurinë energjetike, dekarbonizimin dhe integrimin në tregun evropian të energjisë.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com