Home / Lajme / Kosova / “Ne nuk kemi luks”, Gashi: Energjia dhe gazi janë çështje strategjike për Kosovën

“Ne nuk kemi luks”, Gashi: Energjia dhe gazi janë çështje strategjike për Kosovën

Kandidati për deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka theksuar rëndësinë e projekteve energjetike dhe bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke i cilësuar ato si çështje me rëndësi strategjike për të ardhmen e Kosovës.

Në një intervistë në RTV21, Gashi iu referua Marrëveshjes së Uashingtonit të vitit 2020, duke veçuar komponentin energjetik dhe mundësinë e përfshirjes së Kosovës në projektet rajonale të gazit natyror.

“Ka një marrëveshje që është arritur në SHBA në vitin 2020, një nga pikat parasheh edhe gazin, dhe për interesa strategjike do të thotë shumë. Kosova mbetet si pikë strategjike dhe investim strategjik amerikan, është siguri ekzistenciale për Kosovën”, deklaroi Gashi.

Sipas tij, Kosova duhet të vazhdojë orientimin e saj të qartë strategjik drejt Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve perëndimorë, ndërsa projektet energjetike duhet të vlerësohen jo vetëm nga aspekti ekonomik, por edhe nga ai gjeopolitik dhe i sigurisë.

“Ne nuk kemi luks, nuk duhet me qenë preferencë as e Rusisë e as e Kinës. Na duhet strategjikisht me u lidh me këtë gaz, jo që përfitojmë ne diçka nga Amerika, por sepse është nyje lidhëse e Kosovës”, tha ai.

Gashi theksoi gjithashtu nevojën për zhvillimin e kapaciteteve të reja energjetike në vend, duke argumentuar se siguria e furnizimit mbetet një nga sfidat kryesore të sektorit energjetik.

“Energjia për ne është gjithçka, por në këtë rast një gaz që kalon nga ne është si një autostradë gazi që kalon nëpër vendin tonë dhe ne vetëm përfitojmë nga pozicioni strategjik”, u shpreh ai.

Deklaratat e Gashit vijnë në një kohë kur debati për të ardhmen energjetike të Kosovës është intensifikuar, me diskutime që përfshijnë energjinë e ripërtëritshme, modernizimin e termocentraleve ekzistuese, sistemet e magazinimit të energjisë dhe mundësitë për zhvillimin e infrastrukturës së gazit natyror.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com