Home / Ngjarje / Ministria e Ekonomisë organizon sesion informues për Skemën e Granteve për Energji të Pastër – Faza 2

Ministria e Ekonomisë organizon sesion informues për Skemën e Granteve për Energji të Pastër – Faza 2

Ministria e Ekonomisë, në bashkëpunim me Agjencinë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) dhe Agjencinë e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor (LuxDev), do të organizojë një sesion informues për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM) në kuadër të Skemës së Granteve për Energji të Pastër – Faza 2.

Sesioni do të mbahet më 24 korrik 2026, duke filluar nga ora 10:00, në Qendrën e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike të Universitetit të Prishtinës.

Gjatë këtij takimi, ndërmarrjet e interesuara do të kenë mundësi të marrin informata më të detajuara rreth procesit të aplikimit për skemën e granteve, përfshirë kriteret e pranueshmërisë, procedurat, dokumentacionin e nevojshëm dhe hapat që duhet të ndiqen gjatë aplikimit, përcjell Energy Monitor.

Pjesëmarrësit gjithashtu do të kenë mundësi të parashtrojnë pyetje dhe të marrin sqarime të drejtpërdrejta nga përfaqësuesit e institucioneve përgjegjëse lidhur me zbatimin e skemës.

Skema e Granteve për Energji të Pastër synon të mbështesë ndërmarrjet në Kosovë në investimet që lidhen me efikasitetin energjetik, përdorimin e burimeve të energjisë së pastër dhe uljen e konsumit të energjisë.

Të gjitha ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme të interesuara ftohen të marrin pjesë në këtë sesion informues. Skema zbatohet nga Ministria e Ekonomisë në bashkëpunim me Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Agjencinë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) dhe LuxDev – Luxembourg Development Cooperation Agency.

Për më shumë informata rreth thirrjes dhe aplikimit, vizitoni: https://me.rks-gov.net/shpallje-2/

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com