Kompania publike e energjisë Elektroprivreda Bosne i Hercegovine (EPBiH) ka miratuar planin e biznesit për periudhën trevjeçare, në të cilin parashihen investime totale prej rreth 884.6 milionë eurosh.
Sipas planit, rreth 275 milionë euro do të financohen nga mjetet e veta të kompanisë, ndërsa pjesa tjetër do të sigurohet përmes huamarrjes. Investimet përfshijnë projekte në sektorin e prodhimit, shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike.
Një pjesë e konsiderueshme e mjeteve do të destinohet për minierat e qymyrit, me qëllim sigurimin e furnizimit të vazhdueshëm me lëndë djegëse për termocentralet ekzistuese. Plani parashikon gjithashtu investime për uljen e ndotjes nga termocentralet në Tuzla dhe Kakanj, përmes instalimit të sistemeve për trajtimin e gazrave të tymit.
Në kuadër të planit të biznesit janë përfshirë edhe investime në projekte të energjisë së ripërtëritshme, kryesisht në centrale fotovoltaike, të cilat planifikohet të ndërtohen në toka në pronësi të kompanisë, në sipërfaqe të minierave dhe në objekte ekzistuese.
Plani i biznesit është miratuar nga bordi drejtues i Elektroprivreda BiH dhe përfshin periudhën e ardhshme trevjeçare.



