Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se është siguruar financimi i plotë për ndërtimin e parkut solar me kapacitet minimum 100 MW në KEK, pas ratifikimit në Kuvend të marrëveshjes së kredisë me Banka Evropiane për Investime për projektin “Energjia Diellore Fotovoltaike në KEK – Porta Globale”.
Sipas saj, projekti aktualisht ndodhet në fazën e sigurimit të lejeve të nevojshme për ndërtim, ndërsa paralelisht është duke vijuar procesi i tenderimit, përkatësisht faza e parakualifikimit. Nënshkrimi i kontratës për ndërtim pritet deri në fund të këtij viti, ndërsa fillimi i punimeve është planifikuar për vitin e ardhshëm.
Objektivi është që parku solar të nisë prodhimin e energjisë elektrike gjatë vitit 2028.
Parku do të ndërtohet në një sipërfaqe aktualisht të pashfrytëzuar të deponisë së hirit në KEK dhe pritet të ketë kapacitet të instaluar prej së paku 100 MW. Sipas të dhënave, prodhimi vjetor parashihet të arrijë në rreth 152 GWh, duke kontribuar në diversifikimin e burimeve energjetike dhe në uljen e emetimeve të dioksidit të karbonit për rreth 140,000 tonë në vit.
Ministrja ka theksuar se projekti përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të sigurisë së furnizimit dhe modernizimit të sektorit energjetik, si dhe një zhvillim me rëndësi për transformimin e KEK drejt burimeve më të pastra dhe të qëndrueshme.



