Home / Lajme / Mjedisi / AMMK pjesë e takimit të 45-të të rrjetit evropian të agjencive të mjedisit në Zagreb

AMMK pjesë e takimit të 45-të të rrjetit evropian të agjencive të mjedisit në Zagreb

Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) po merr pjesë në takimin e 45-të plenar të EPA Network, i cili po zhvillohet në Zagreb, Kroaci.

Takimi, i organizuar nga Ministria e Mjedisit dhe Tranzicionit të Gjelbër e Kroacisë, mbledh drejtorët e agjencive të mjedisit nga vendet evropiane për të diskutuar zhvillimet më të fundit në politikat mjedisore dhe klimatike.

AMMK përfaqësohet në këtë takim nga ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv, Afrim Berisha.

Në fokus të diskutimeve janë përditësimet mbi politikat e reja të Bashkimit Evropian për mbrojtjen e mjedisit dhe klimës, përfshirë restaurimin e natyrës dhe monitorimin e tokës, si dhe zbatimi i Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane. Gjithashtu, po trajtohet roli i agjencive mjedisore në qeverisjen dhe zbatimin e këtyre politikave, përcjell Energy Monitor.

Temat e diskutimit përfshijnë edhe ndryshimet klimatike dhe rreziqet e lidhura me to, si zjarret, temperaturat e larta, valët e nxehtësisë urbane dhe përmbytjet, si dhe masat për menaxhimin e tyre dhe rritjen e qëndrueshmërisë. Në këtë kuadër, është theksuar rëndësia e zgjidhjeve të bazuara në natyrë dhe e investimeve të gjelbra.

Pjesë e agjendës janë edhe çështjet që lidhen me bashkëpunimin ndërkufitar për reduktimin e ndotjes dhe mbrojtjen e mjedisit, si dhe forcimi i bashkëpunimit brenda rrjetit përmes shkëmbimit të përvojave dhe praktikave më të mira.

Takime të tilla konsiderohen si platformë e rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet agjencive evropiane dhe për avancimin e politikave mjedisore në nivel rajonal dhe evropian.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com