Home / Lajme / Tjera / FMN do të nis misionin në Kosovë për vlerësimin e ekonomisë

FMN do të nis misionin në Kosovë për vlerësimin e ekonomisë

Një ekip i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) do të zhvillojë një mision në Kosovë nga 3 deri më 13 shkurt 2026, në kuadër të konsultimeve vjetore sipas Nenit IV, për ta vlerësuar gjendjen e ekonomisë në Kosovë.

Përfaqësuesi rajonal i FMN-së për Ballkanin Perëndimor, Sebastian Sosa, ka bërë të ditur se misioni, i udhëhequr nga David Amaglobeli, synon të analizojë zhvillimet e fundit makroekonomike, rreziqet dhe perspektivën ekonomike të vendit.

“Qëllimi i këtij misioni mbikëqyrës është të bëjë një vlerësim të zhvillimeve të fundit makroekonomike, të vlerësojë perspektivën dhe rreziqet, dhe të diskutojë prioritetet e politikave ekonomike dhe reformave me autoritetet dhe palët e tjera të interesuara kryesore”- shkruan në njoftim.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, përfaqësuesit e FMN-së do të takohen me akterët në Kosovë për të diskutuar politikat ekonomike dhe reformat prioritare.

Në fund të vizitës pritet të publikohet një komunikatë zyrtare dhe të mbahet konferencë për media.

Sipas Nenit IV të Neneve të Marrëveshjes së FMN-së, FMN-ja zhvillon diskutime dypalëshe me anëtarët, zakonisht çdo vit. 

Një ekip viziton vendin, mbledh informacion ekonomik dhe financiar dhe diskuton me zyrtarët zhvillimet dhe politikat ekonomike të vendit.

Me kthimin në selinë qendrore, stafi i FMN-së përgatit një raport, i cili përbën bazën për diskutim nga Bordi Ekzekutiv.

Në vitin 2025, Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka hequr Kosovën nga Lista e Shteteve në Situata të Brishtësisë dhe Konfliktit.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com