Kriza energjetike e shkaktuar nga lufta në Ukrainë tronditi tregjet europiane të energjisë, duke çuar çmimet e elektricitetit në nivele rekord, mbi 500 euro/MWh në gusht të vitit 2022. Megjithatë, sipas ekspertit të energjisë Laert Dogjani, ky realitet ka ndryshuar rrënjësisht brenda pak vitesh dhe sot tregu po përballet me një rrezik të kundërt: mbingopje dhe çmime ekstremisht të ulëta, deri edhe negative.
Dogjani thekson se pas vitit 2022, një numër i madh parqesh fotovoltaike kanë hyrë në prodhim në Shqipëri dhe rajon, ndërsa dhjetëra të tjera janë në ndërtim ose në fazë aplikimi. “Siç ka ndodhur edhe në vende të tjera, tregu tanimë është ngopur dhe këto impiante kanë filluar të ulin ndjeshëm çmimet e elektricitetit në bursën ALPEX”, shprehet ai.
Sipas tij, në dhjetor 2025 – një muaj me konsum të lartë – çmimet në tregun me shumicë kanë rënë deri në 25 euro/MWh, ndërsa gjatë 15–30 ditëve të janarit 2026 kanë qëndruar nën 30 euro/MWh. Ky fenomen njihet në terma teknikë si “kanibalizim”, ku parqet fotovoltaike “kafshojnë” vetë çmimin e energjisë që prodhojnë, përcjell Energy Monitor.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm, sipas Dogjanit, lidhet me përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian, i cili do të lejojë formimin e çmimeve negative në bursë. “Sado absurde të duket për publikun jashtë sektorit, çmimet negative ndodhin shpesh në tregun me shumicë të elektricitetit”, shpjegon ai, duke shtuar se energjia elektrike, sidomos ajo nga parqet PV, është një produkt i veçantë: nuk magazinohet lehtë, prodhohet kryesisht gjatë orëve kur kërkesa është e ulët dhe varet nga kushtet natyrore.
Dogjani rendit disa faktorë që e thellojnë problemin: Greqia, dikur importuese neto, sot mund të eksportojë energji diellore drejt Shqipërisë; mungesa e ndërlidhjeve të mjaftueshme për eksport në vendet fqinje; si dhe përputhja e prodhimit nga dielli, era dhe hidrocentralet gjatë periudhave me reshje.
Sipas tij, çmimet pranë zeros përbëjnë një rrezik serioz për investimet ekzistuese dhe ato në vijim. Me kosto prodhimi rreth 30–40 euro/MWh, shumë parqe fotovoltaike rrezikojnë falimentimin, duke krijuar pasoja edhe për sistemin bankar që i ka financuar. “Vetëm kosto e kreditimit, rreth 50 mijë euro në vit për MW/hektar, tejkalon të ardhurat e mundshme me këto çmime, pa llogaritur kostot operacionale”, paralajmëron Dogjani, raporton Energy Monitor.
Ai sjell edhe skenarë konkretë për vitin 2027, kur tregu Shqipëri–Kosovë do të jetë plotësisht i integruar, çmimet negative të lejueshme dhe rreth 70% e energjisë e detyruar të tregtohet në ALPEX. Në kushte reshjesh, ere dhe kthjellimesh gjatë ditës, oferta mund të tejkalojë ndjeshëm kërkesën, duke sjellë çmime negative si gjatë natës ashtu edhe në mesditë.
Edhe në rast se hidrocentralet me rezervuar shkëputen për të mbështetur prodhimin diellor, Dogjani thekson se prodhimi nga parqet fotovoltaike, era dhe hidrocentralet me rrjedhje të lirë do të ishte sërish i mjaftueshëm për të krijuar tepricë dhe çmime negative.
Në këtë kontekst, ai vë në pikëpyetje mbrojtjen juridike të investimeve përmes kontratave të parablerjes nga shteti, duke përmendur shembullin e Spanjës, ku në situata krize janë detyruar të shkëputen fillimisht parqet diellore dhe eolike për të mbrojtur rrjetin.
Si zgjidhje, Dogjani sugjeron një ndryshim strategjie: fondet publike që përdoren për garanci çmimi të orientohen drejt investimeve në infrastrukturë. Konkretisht, ai propozon nisjen e menjëhershme të ndërtimit të një ndërlidhjeje HVDC me Italinë, përshpejtimin e ndërlidhjes me Malin e Zi dhe përfundimin sa më shpejt të asaj me Maqedoninë e Veriut. Sipas tij, këto investime mund të financohen edhe me kthim pozitiv, pa nevojë për kapital të tretë aksionar.
“Në fund, duhet të imagjinojmë se çfarë do të ndodhë me çmimet e energjisë pas përfundimit të pritshëm të luftës në Ukrainë”, përfundon Dogjani, duke paralajmëruar se pa planifikim dhe investime të zgjuara në rrjet dhe ndërlidhje, tregu rrezikon të kalojë nga një ekstrem në tjetrin – nga kriza e çmimeve të larta, në kolaps të çmimeve.
/Energy Monitor



