Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) dhe Bashkimi Evropian kanë rikonfirmuar bashkëpunimin e tyre në zbatimin e projekteve për efiçiencë të energjisë në Kosovë.
Drejtoresha Menaxhuese e FKEE-së, Njomza Hoxha, priti në takim Shefin e Bashkëpunimit në BE në Kosovë, Hubert Perr, ku u vlerësua progresi i arritur përmes projekteve të përbashkëta.
Gjatë takimit u theksua se bashkëpunimi i deritanishëm ka mundësuar implementimin e suksesshëm të masave të efiçiencës së energjisë si në sektorin publik, ashtu edhe në atë rezidencial, përcjell Energy Monitor.
Sipas të dhënave, Bashkimi Evropian ka mbështetur zbatimin e këtyre masave në 85 ndërtesa publike në Kosovë, si dhe në shtëpi individuale dhe ndërtesa sociale shumëbanesore.
Nga ana tjetër, FKEE është vlerësuar për nivel të lartë profesionalizmi, realizim të projekteve me cilësi dhe transparencë, duke krijuar një bazë të fortë për thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen.



