Kosova ka nevojë për rreth 360 – 440 milionë euro në vit për renovimin e ndërtesave, ndërsa investimet aktuale janë vetëm një pjesë e kësaj shume, ka deklaruar Fjolla Qorri, Program Development Manager në Balkan Green Foundation në diskutimin mbi varfërinë energjetike të organizuar nga INDEP.
Sipas Qorrit, rritja e çmimeve të energjisë mund të shtyjë më shumë familje drejt varfërisë energjetike, ndërsa subvencionet mund të ndihmojnë në përballimin e kostove, por nuk e zgjidhin problemin e konsumit të lartë të energjisë në ndërtesa.
Ajo ka argumentuar se renovimi i mureve, dritareve dhe kulmeve mund të ulë humbjet e energjisë dhe shpenzimet e familjeve për ngrohje, përcjell Energy Monitor.
Qorri ka propozuar që renovimi i ndërtesave të trajtohet si një shërbim i vazhdueshëm, i financuar nga disa palë dhe ku një pjesë e investimit mund të kthehet përmes kursimeve të energjisë.
Sipas saj, një model i tillë do të mundësonte që financimi fillestar të përdorej përsëri për projekte të reja, në vend që mbështetja të kufizohej vetëm në projekte me kohëzgjatje të caktuar.
Postimi u bë pas një diskutimi të organizuar nga INDEP dhe Dardan Abazi për varfërinë energjetike dhe mënyrat e financimit të renovimit të ndërtesave.



