Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka vlerësuar se ndotja e ajrit vazhdon të mbetet një nga sfidat më serioze mjedisore dhe shëndetësore në vend, dhe ka publikuar disa rekomandime pas ndotjes së ajrit që është duke ndodhur ditëve të fundit nga termoelektrata A dhe B të KEK-ut.
Sipas IKSHPK-së, burim i rëndësishëm i ndotjes në Kosovë mbeten termoelektranat që përdorin thëngjillin si burim energjie, të cilat lëshojnë në atmosferë substanca të dëmshme si oksidet e azotit (NOx), dioksidin e squfurit (SO2), ozonin (O3) dhe materie grimcore PM10 dhe PM2.5.
Instituti, duke iu referuar raporteve të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK) dhe Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), thekson se sektori i energjetikës kontribuon në një pjesë të konsiderueshme të emetimeve ndotëse në vend.
Në komunikatë thuhet se ekspozimi ndaj grimcave të ajrit ndikon veçanërisht tek grupet e ndjeshme të popullsisë, përfshirë fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike, duke rritur rrezikun për infeksione dhe sëmundje respiratore.
IKSHPK paralajmëron gjithashtu se efektet e ndotjes së ajrit mund të jenë afatshkurtra dhe afatgjata, duke përfshirë rritjen e sëmundshmërisë dhe mortalitetit, sëmundje respiratore dhe kardiovaskulare, irritime të sistemit respirator dhe syve, si dhe rritje të rrezikut kancerogjen.
Instituti ka bërë të ditur se ka vërejtur nivele të larta të ndotjes në zonën e Obiliqit, duke theksuar nevojën për masa të menjëhershme.
Në këtë drejtim, IKSHPK ka propozuar një sërë masash urgjente, përfshirë monitorim në kohë reale të ndotjes dhe publikim transparent të të dhënave, kontroll të vazhdueshëm të filtrave në termocentrale, inspektime më të shpeshta dhe sanksione për tejkalim të normave, si dhe instalimin e teknologjive për reduktimin e emetimeve.
Po ashtu, rekomandohet modernizimi i pajisjeve ekzistuese dhe forcimi i mekanizmave për mbrojtjen e shëndetit publik, përfshirë krijimin e sistemeve të integruara të informacionit në situata emergjente dhe zgjerimin e zonave të gjelbra pranë zonave industriale.
IKSHPK thekson se mungesa e masave urgjente mund të çojë në pasoja serioze për shëndetin publik, përfshirë rritjen e sëmundjeve kardiovaskulare dhe respiratore, si dhe rritje të vdekshmërisë nga shkaqe të ndryshme.
Masat afatshkurtra (urgjente) për përmirësimin e mënjëhershëm të situatës:
- Monitorimi në kohë reale i ndotjes dhe publikimi transparent i të dhënave për qytetarët nga KEK-u.
- Monitorimi transparent dhe i vazhdueshëm i filtrave të termocentraleve (kontrolli i rregullt teknik dhe sanksione nese nuk punojnë).
- Inspektime të shpeshta nga inspektorët e mjedisit dhe gjoba të larta për tejkalim të normave.
- Instalimi i teknologjive për desulfurizim dhe përdorimi i sistemeve për reduktimin e NOx.
- Modernizimi i pajisjeve ekzistuese.
Masat për mbrojtjen e shëndetit publik:
- Krijimi i një sistemi të integruar të informatave në situata emergjente.
- Promovimi i rëndësisë së cilësisë se ajrit si përcaktues i shëndetit dhe mirëqenjes së popullatës.
- Monitorimi dhe raportimi i rregullt i cilësisë së ajrit.
- Ngritja e zonave gjelbruese në mes të zonës industriale dhe asaj të banimit.
- Vendosja e standardeve për emetimet industrial.
- Zbatimi i ligjeve për mbrojtjen e mjedisit



