Home / Lajme / Kosova / OEK kërkon përfshirje urgjente të Kosovës në projektet rajonale të gazit natyror

OEK kërkon përfshirje urgjente të Kosovës në projektet rajonale të gazit natyror

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka ngritur shqetësimin për mungesën e Kosovës në zhvillimet e fundit rajonale të infrastrukturës së gazit natyror, duke kërkuar veprime të menjëhershme nga Qeveria e Republikës së Kosovës për të siguruar përfshirjen e vendit në këto iniciativa strategjike.

Sipas OEK, Ballkani Perëndimor po hyn në një fazë të re të transformimit energjetik, të karakterizuar nga marrëveshje të reja për rrjetet e gazit dhe investime të mëdha me mbështetje ndërkombëtare. Ky zhvillim, sipas tyre, po e ripozicionon rajonin në hartën energjetike të Evropës, duke krijuar mundësi të reja për siguri furnizimi dhe diversifikim të burimeve energjetike, njofton Energy Monitor.

Në këtë kontekst, OEK paralajmëron se mungesa e Kosovës në këto procese mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta në sigurinë energjetike dhe në konkurrueshmërinë ekonomike të vendit. Kryetari i OEK-së, Lulzim Rafuna, thekson se vendi nuk duhet të mbetet jashtë këtyre zhvillimeve strategjike.

“Kosova nuk ka luksin të mbetet anash. Përfshirja në këto projekte është jetike për zhvillimin ekonomik, sigurinë energjetike dhe tërheqjen e investimeve strategjike,” është shprehur Rafuna.

Oda Ekonomike e Kosovës thekson gjithashtu rëndësinë që çdo proces i përfshirjes në infrastrukturën rajonale të gazit të zhvillohet në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, duke garantuar transparencë, konkurrencë të hapur dhe qasje jo-diskriminuese për të gjithë aktorët e tregut, përcjell Energy Monitor.

Në fund, OEK i bën thirrje institucioneve të vendit që të intensifikojnë dialogun me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë, në mënyrë që Kosova të sigurojë një rol aktiv në arkitekturën e ardhshme energjetike të rajonit dhe të mos mbetet e përjashtuar nga projektet kryesore infrastrukturore në Ballkanin Perëndimor.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com