Duke folur në një tryezë në Samitin e 8-të të Komunitetit Politik Evropian, presidentja e Maqedonisë së Veriut ka thënë se konfliktet globale aktuale dhe turbulencat energjetike po krijojnë rreziqe serioze për stabilitetin energjetik.
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, në kuadër të pjesëmarrjes në Samitin e 8-të të Komunitetit Politik Evropian, i cili u mbajt kryeqytetin e Armenisë, Jerevan, iu drejtua tryezës së rrumbullakët me temën “Forcimi i ndërlidhjes dhe sigurisë ekonomike në kontekstin e tranzicionit të gjelbër”, transmeton Anadolu.
Siç njofton kabineti i presidentes, ajo vlerësoi se konfliktet globale aktuale dhe turbulencat energjetike po krijojnë rreziqe serioze për stabilitetin energjetik, ku veçanërisht të cenueshme janë shtetet e vogla.
Sipas saj, ndërlidhja energjetike nuk është vetëm çështje ekonomike, por edhe prioritet i sigurisë kombëtare, rajonale dhe evropiane. Ajo tha se pengesat më të mëdha për ndërlidhjen energjetike në Ballkanin Perëndimor nuk janë teknike, por politike.
Sipas saj, mosmarrëveshjet bilaterale dhe keqpërdorimi i vetos shkaktojnë më shumë dëm për ndërlidhjen rajonale sesa mungesa e infrastrukturës. Çdo proces i ngrirë integrimi do të thotë investim dhe e ardhme e ngrirë, thuhet në njoftim.
Siljanovska-Davkova konstatoi se vendet e rajonit individualisht kanë kapacitete të kufizuara, por përmes veprimit të përbashkët mund të bëhen partner i vlefshëm evropian.
Ajo theksoi se infrastruktura e përbashkët krijon interesa të ndërsjella dhe ndërvarësi midis shteteve, gjë që ndikon në uljen e rrezikut të konflikteve dhe rritjen e qëndrueshmërisë ndaj palëve të treta.
Në vend të varësisë së përqendruar energjetike, sipas saj, nevojitet diversifikim përmes korridoreve të reja dhe alternative energjetike dhe lidhjes me burime të ndryshme, përfshirë nga Ballkani Perëndimor dhe Rajoni i Kaspikut, thuhet në njoftim.
Në fjalimin e saj, Siljanovska-Davkova theksoi se tranzicioni i gjelbër dhe siguria energjetike janë pjesë e të njëjtit projekt strategjik dhe se burimet e rinovueshme të energjisë janë kyç për pavarësi dhe stabilitet më të madh.



